Dinamo nuk mjaftohet vetëm të ngjitet në Superiore, ajo kërkon ta bëjë këtë si kampione në Kategorinë e Parë. I ftuar në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari ishte Patrik Bardhi. Sulmuesi u shpreh se Skënderbeu mund të ndalet në transfertën e Turbinës dhe për këtë arsye kryeqytetasit duhet të përfitojnë në këtë javë.
“Na pret një ndeshje e vështirë kundër Lushnjes. Nuk besoj se do të ketë premio në këtë ndeshje, Dinamo duhet ta fitojë për t’u kthyer aty ku i takon, në Superiore. Ne duam që të ngjitemi në Superiore si vendi i parë dhe jo si vendi i dytë.
Skënderbeu ka një transfertë të vështirë me Turbinën, ne e dimë se kemi luajtur vetë në atë fushë. Nga ana tjetër ne duhet të fitojmë dhe besoj se do të dalim në vend të parë. Kam gati një vit me thuajse të njëjtin problem me dëmtimin, nuk dua ta flas më se më është kthyer në makth. Nuk shoh ndeshjet e rivalëve kur jam pushim te Dinamo, shoh Champions League”, tha Bardhi. /Sport Ekspres/