“Arbitri i binte bilbilit në çdo moment, na prishi futbollin”! Perla e trajnerit të Bylisit për gjyqtarin kryesor: A i ka punuar babai këtij te stacioni i trenave?

Ndeshja mes Bylisit dhe Teutës është mbyllur mes spektaklit në barazimin 2-2. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Santos në minutën e 20. Gjithçka do të kthehej në baraspeshë nga ana e Lorenco Vilës në të 39.

Pjesa e dytë filloi me Bylisin që kërkoi më tepër golin, por durrsakët realizuan sërish me anë të Lorenco Vilës në të 57. Kjo ndeshje ishte një dialog mes dy lojtarëve, pasi nga krahu tjetër Santos u përgjigj me golin më të bukur të Superiores pasi realizoi me rroveshatë. Me këtë barazim, Bylisi mban vendin e parafundit dhe e sheh veten më të rrezikuar se kurrë për të rënë nga elita e futbollit shqiptar. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Shensoji: “Erdha këtu për të bërë lojë të bukur, për të ndihmuar futbollin shqiptar. Arbitri nuk na lejoi pak që të luajmë futbollin tonë, e prishi futbollin me ato ndërprerje dhe bilbil. Ndoshta babai i tij punon në stacionin e trenave pasi i binte bilbilit gjithmonë. Duhej ta kishte lënë lojën më të lirë. Teuta është ekip i mirë, nuk ka nevojë për t’u ndihmuar nga arbitrat. Ata kanë ekip të mirë, kanë trajner të mirë. Arbitrat më mirë të na japin një penallti ose dy penallti kundër që nga fillimi se të na dëmtojnë në 90 minuta”.

Martini: “Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, golat nuk erdhën nga një lojë e ritmit të lartë. Gabuam me Grudën në atë mundësi, duhej ta kishim vrarë ndeshjen. Ky është futbolli, kur nuk shënon, shënon ai tjetri. Nuk duhej ta humbnim për asnjë arsye këtë ndeshje, por nuk jam i kënaqur. Nuk kemi pasur dhe fat. Goli që shënoi Santos është një gol që shënohet njëherë në 100 vite. Duhet të përmirësohemi më tepër para porte. Kjo është fushë e vështirë, nuk të lë që të zhvillosh lojën tënde”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *