“Nuk e di pse u dha penalltia”, Hallaçi ka ankesa për arbitrin: Supi nuk quhet dorë dhe futbollisti nuk kërcen dot me dorën ngjitur

Tirana mposhti Kukësin me shifrat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28 të “Abissnet Superiores“. Bardheblutë kaluan të parët në avantazh me anë Hilës, i cili e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 43-të. Me fillimin e pjesës së dytë, Rashiti kundërpërgjigjet për Kukësin dhe kthen sërish baraspeshën. Por një penallti e akorduar me VAR në minutën e 89 solli edhe golin e fitores për bardheblutë, i cili u shënua nga Florent Hasani. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë  dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol“ në “Oversport”.

Hallaçi (Kukësi): “Nuk të vjen mirë kur pëson një gol në fundin e ndeshjes, pasi mendoj që loja ishte në ekuilibër. E kemi kontrolluar lojën. Pjesa e parë shkoi mirë, më pas pjesa e dytë ishte më mirë. Duke parë që edhe kundërshtari u mbyll në mbrojtje. Rrezikuam disa herë portën e Tiranës, por nuk më bind penalltia e dhënë dhe më vjen keq. Nuk dua të merrem shumë me pjesën e gjyqtarit, por nuk e di pse u dha penalltia. Supi nuk quhet dorë dhe futbollisti nuk mund të kërcejë me dorën ngjitur. Ky është mendimi im. Nuk ishte penallti dhe më vjen keq për skuadrën, sepse luajti mirë për të marrë një pikë, madje ishim shumë afër fitores.

I dimë vështirësitë ku ndodhemi. Duhet të punojmë shumë dhe të reagojmë, pasi kampionati është futur në një fazë kritike. Sot ishim përgatitur për të marrë rezultat pozitiv pasi çdo pikë që na ikën do ta ndjejmë më pas. Luajtëm mirë, por nuk mjafton në këtë moment, sepse kemi nevojë për pikë. Duhet të gjejmë forcat që të reagojmë. Skuadra ishte e mërzitur dhe duam që çunat të lënë pas krahëve këtë moment. Është zgjidhur problemi i pagave? Kam parë që është shkruar që skuadra nuk ka dalë në stërvitje, por ne kemi bërë dy seanca stërvitore në palestër dhe te liqeni artificial. E gjithë kjo është një keqkuptim”.

Shehi (Tirana): “Jam i kënaqur nga pikët sot. Në këtë fazë të kampionatit duhet të jemi cinik dhe të shfrytëzojmë rastet në maksimum. Më vjen mirë që morëm tre pikët, edhe pse rrezikuam duke futur Behiratçen sulmues në fund. Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë dhe jam i gëzuar që morëm një fitore. Dy ndeshje njësoj nuk ka. Kjo ndeshje nuk hyn te më të mirat, por e rëndësishme është që morëm rezultat si ajo paraardhësja. Abazaj po na ndihmon, ndonëse nuk është në formën e tij optimale. Kemi mugesa dhe nuk jemi në 100% të organikës. Kjo na kushtëzon në ndërrimet kokë më kokë që mund të bëjmë. Janë finale të gjitha ndeshjet e mbetura. Në disa momente kemi qenë me fat, sepse kemi një portier të mrekullueshëm që na shpëton. Atë kërkuam me Behiratçen në sulm, nuk mendoj që penalltia ishte fat“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *