Tirana mposhti Kukësin me shifrat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28 të “Abissnet Superiores“. Bardheblutë kaluan të parët në avantazh me anë Hilës, i cili e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 43-të. Me fillimin e pjesës së dytë, Rashiti kundërpërgjigjet për Kukësin dhe kthen sërish baraspeshën. Por një penallti e akorduar me VAR në minutën e 89 solli edhe golin e fitores për bardheblutë, i cili u shënua nga Florent Hasani. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol“ në “Oversport”.
Shehi (Tirana): “Jam i kënaqur nga pikët sot. Në këtë fazë të kampionatit duhet të jemi cinik dhe të shfrytëzojmë rastet në maksimum. Më vjen mirë që morëm tre pikët, edhe pse rrezikuam duke futur Behiratçen sulmues në fund. Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë dhe jam i gëzuar që morëm një fitore. Dy ndeshje njësoj nuk ka. Kjo ndeshje nuk hyn te më të mirat, por e rëndësishme është që morëm rezultat si ajo paraardhësja. Abazaj po na ndihmon, ndonëse nuk është në formën e tij optimale. Kemi mugesa dhe nuk jemi në 100% të organikës. Kjo na kushtëzon në ndërrimet kokë më kokë që mund të bëjmë. Janë finale të gjitha ndeshjet e mbetura. Në disa momente kemi qenë me fat, sepse kemi një portier të mrekullueshëm që na shpëton. Atë kërkuam me Behiratçen në sulm, nuk mendoj që penalltia ishte fat“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/