Shqipëria e Armando Cungut humbet ndaj Maltës, testohen lojtarët e rinj në transfertën ku pritej rezultat tjetër

Shqipëria U-19 zhvilloi paraditen e kësaj të diele ndeshjen e dytë miqësore kundër Maltës.  Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu u mundën nga vendasit me rezultatin e ngushtë 2-1, në takimin e zhvilluar stadiumin ‘Tony Bezzina’ në Maltë.

Trajneri Cungu hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Elliot Krasniqi (GK), Arlind Kurti, Elton Fikaj, Ervin Bashi, Ardit Nuredini, Orgito Ruci, Erald Krasniqi, Gent Elezaj, Adijat Seferi, Lorent Talla, Samuele Kasa.

Vendasit kalojnë të parët në avantazh që në minutën e 7-të, me maltezët që ekzekutojnë një goditje dënimi, teksa Bridgman gjendet mirë në zonën tonë, duke e dërguar topin në rrjetë me kokë. Kuqezinjtë e Cungut nuk demoralizohen, por luajnë mirë, duke qarkulluar topin saktë e duke krijuar edhe disa raste për shënim.

Pak minuta para fundit të pjesës së parë, vjen edhe goli për Shqipërinë, me Gent Elezajn, i cili barazoi ndeshjen për kuqezinjtë pas një goditjeje të fortë nga jashtë zone dhe një gafe të portierit kundërshtar, i cili fillimisht e pret topin, por më pas i rrëshket nga duart dhe hyn në rrjetë. 45 minutat e para mbyllen me rezultatin e barabartë, 1-1.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, trajneri Cungu bën disa zëvendësime në fushë. Kuqezinjtë krijojnë disa raste të pastra për Shqipërinë, por ajo që mungon është vetëm finalizimi. 10 minuta para fundit të takimit, vendasit realizojnë edhe golin e dytë, duke vulosur rezultatin me shifrat 2-1.

Kjo ishte miqësorja e dytë në pak ditë për Shqipërinë U-19, teksa në ndeshjen e parë triumfuan me rezultatin 2-0. Këto ndeshje miqësore ndaj Maltës shihen si shumë të rëndësishme nga stafi i ekipit kombëtar U-19, për të konsoliduar grupin dhe për të testuar lojtarët të rinj që vijnë në kombëtaren U-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *