Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e të premtes seancën e fundit stërvitore në Shtëpinë e futbollit para nisjes për në Varshavë. Si zakonisht grupi i ka nisur përgatitjet në qendrën e fitnesit për disa minuta e më pas është spostuar në fushë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, teksa portieri Thomas Strakosha dhe sulmuesi Myrto Uzuni janë stërvitur rregullisht me grupin. Të dy futbollistët nuk ishin pjesë e grupit një ditë më parë, duke bërë më shumë fizioterapi për shkak të shqetësimeve nga lodhja muskulore. Gjithsesi, stafi mjekësor ka konfirmuar se gjithçka është në rregull dhe lojtarët i janë rikthyer stërvitjes bashkë me shokët e skuadrës.
Për rreth 90 minuta skuadra ka zhvilluar ushtrime fizike e më pas ushtrime me top me situata të ndryshme loje, teksa gjithçka ka shkuar sipas programit dhe pa probleme fizike për lojtarët. Duhet theksuar se atmosfera është shumë e mirë dhe kombëtarja ka vijuar përgatitjet në kushte mjaft të mira në Shtëpinë e Futbollit.