FSHF fton artistët shqiptarë para ndeshjes së Kombëtares, Silvinjo i ndez të gjithë në ovacione: Ua garantoj, shpirti dhe zemra nuk do t’i mungojnë Shqipërisë

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi mbrëmjen e së martës një darkë me emrat më të mëdhenj të artit dhe muzikës shqiptare në prag të nisjes së fushatës eliminatore të Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm shumë artistë dhe këngëtarë, të cilët nuk ngurruan të shprehnin hapur mbështetjen e tyre për Kombëtaren shqiptare, jo vetëm në këtë rrugëtim të ri që nis më 27 mars kundër Polonisë, por gjithmonë. Emra të njohur si Ndriçim Xhepa, Aurela Gaçe, Kastriot Çaushi, Rajmonda Bulku, Luan Zhegu, Irma Libohova, e shumë të tjerë u bënë pjesë e këtij aktiviteti të iniciiuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, disa nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së si edhe stafi i trajnerëve të Shqipërisë, me në krye teknikun Silvinjo. Presidenti Duka mbajti edhe një fjalë rasti në këtë aktivitet. Ndërsa i uroi mirëseardhjen të gjithë të ftuarve, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar i njohu artistët dhe këngëtarët shqiptarë me investimet e fundit që ka bërë Federata e Futbollit në mbështetje të Kombëtares shqiptare, me ambientet e reja në ‘Shtëpinë e Futbollit’.

Presidenti Duka e vlerësoi mbështetjen e artistëve dhe këngëtarëve dhe i ftoi ai ata që të jenë gjithmonë pranë ekipit Kombëtar si dhe për të sensibilizuar opinionin publik në mbështetje të Kombëtares shqiptare në këtë fushatë të re eliminatoresh, ku objektivi i vetëm është kualifikimi në Europianin e vitit 2024.

“Ju falënderoj që keni ardhur sonte në këtë aktivitet të organizuar nga Federata e Futbollit. Qëllimi i këtij aktiviteti është të kemi mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim të Kombëtares në “EURO 2024”. Ne e konsiderojmë si një pjesë shumë të rëndësishme të shoqërisë botën e artit, pa dyshim që ju, aktorët dhe këngëtarët ngjasoni në profesion sepse jepni shumë nga vetja juaj për ne që ju ndjekim. Dhe ju më shumë se çdokush mund ta promovoni dhe ta përçoni nevojën për mbështetje të çunave tanë për në Europianin e vitit 2024, ku objektivi është kualifikimi. Federata e Futbollit i ka krijuar kushtet maksimale për të arritur këtë objektiv. Por pa një mbështetje të përgjithshme dhe pa një klimë të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare, pa një dëshirë dhe dashuri të të gjithëve është e vështirë të arrish. Çunat kanë nevojë për mbështetjen tuaj, ju e keni provuar sepse çdokush prej jush nuk e pëlqen një sallë pa mbështetje, pasi as nuk aktron dhe as nuk këndon dot. Dua t’ju falënderoj edhe njëherë që keni respektuar iniciativën e marrë nga Federata e Futbollit dhe t’ju ftoj që të jeni në mbështetje të futbollit, por edhe kritikë në ato që futbolli bën keq. Faleminderit” – u shpreh Presidenti Duka.

Edhe trajneri i ekipit kombëtar, Silvinjo, në fjalën e tij të rastit u shpreh se ndihet i emocionuar nga mikëpritja dhe mbështetja që ka marrë në këto dy muaj të parë në Shqipëri. “Është kënaqësi të jem këtu sot mes jush. Ndihem pak i emocionuar të them të drejtën, por të gjithë e dinë që unë jam brazilian dhe pak spanjoll, ndërsa sot jam bërë pjesë e kësaj Shqipërie të bukur. Unë jetoj prej dy muajsh në Tiranë dhe kam njohur vërtetë shumë njerëz të mrekullueshëm. Duket qartë që është një mbrëmje artistike sepse ndihet në ajër pak art. Ju faleminderit të gjithë për ftesën që më bëtë, e përsëris jam pak i emocionuar, sepse nuk është e lehtë për mua. Dua të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar shumë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Presidentin Duka për besimin që më ka dhënë. Faleminderit shumë për investimin që keni bërë në Shtëpinë e Futbollit, kompleksin e ri sportiv ku të gjithë lojtarët po stërviten aty tani dhe janë vërtetë të kënaqur për këtë investim madhor. Jam njeri që bëj gjithçka me zemër e me shpirt, diçka ma kanë mësuar familja dhe veçanërisht babai im. Shpirti dhe zemra nuk do t’i mungojnë Kombëtares në fushën e lojës, kjo është e sigurt. Faleminderit edhe një herë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *