Vllaznia ka ndarë rrugët me Mirel Josën pak minuta më parë. Rezultatet negative nuk janë toleruar më gjatë nga klubi shkodran, që sot në mbrëmje zyrtarizoi ndërprerjen e bashkëpunimit. Për më shumë detaje, Denis Bajraktari ka folur për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku ka treguar se ky shkarkim ishte diçka e pritur në Shkodër. Gazetari shkodran është shprehur se përpos rezultateve negative, një tjetër arsye e largimit të Josës është prishja e harmonisë në grup, çka u reflektua edhe me pezullimin e Liridon Latifit së fundmi.
“Ishte një shkarkim i vonuar, sepse të gjithë në Shkodër e prisnin një shkarkim të tillë prej disa ndeshjesh për shkak të rezultateve negative të Vllaznisë. Humbja e sotme kundër Laçit duket se ka mbushur kupën në kampin shkodran. Drejtuesit kanë vendosur para pak minutash edhe shkarkimin. Ka pasur një presion të lartë ditën e sotme nga tifozeria shkodrane për të larguar Josën dhe për të sjellë një frymë të re në skuadër. Kjo ndërprerje e kampionatit për shkak të Kombëtares do i shërbejë më shumë Vllaznisë për të rigjetur formën, për t’u rikthyer fitoreve dhe për të pretenduar edhe një herë për titullin kampion e të jetë në garë për Kupën e Shqipërisë. Ajo prishja e harmonisë në skuadër ka ndikuar. Rasti më i fundit, ai pezullim i Latifit. Dënimi ndaj Vulajt, që erdhi me shumë bujë, por edhe largimi i Aralicës. Të gjitha këto kanë ndikuar te harmonia e skuadrës.”, ka thënë Denis Bajraktari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/