Dijonis Biba, Aleks Visha dhe Cllevio Serbiano! Gerard Pique kishte të drejtë me idenë për futbollin e vjetruar, si u mbush dje stadiumi i Kukësit

Gerard Pique ka hapur pak kohë më parë një diskutim vërtet interesant sa i përket afrimit të tifozëve me stadiumin dhe futbollin. Dukshëm interesi nuk është si më parë dhe emocioni ka rënë. “Duhen rregullat më argëtuese, për mua ky produkt i futbolli është i vjetruar. Fëmijët merren vetëm më rrjetet sociale, duhet të arrijmë tek ta, 90 minuta janë shumë të mërzitshme”, tha mes të tjerash ish-mbrojtësi i Barcelonës.

Ky diskutim mund të shtrohet edhe për futbollin në Shqipëri. Nëse më parë ka pasur akuza se tifozët nuk vijnë në stadium pasi arbitrat vendosin sipas kokës së tyre, këtë herë, kjo hipotezë bie menjëherë poshtë. Pas ardhjes së VAR dhe veçanërisht në këtë sezon nuk ka asnjë ankesë për gabime të tilla, të paktën jo nga ekipet e sipërme të tabelës.

Të gjithë jemi habitur dje teksa në ndeshjen e Kupës mes Kukësit dhe Teutës, stadiumi ishte mbushur si asnjëherë më parë. Një ndeshje që luhej në orën 13:00 dhe në një ditë pushimi, nuk pritej një situatë e tillë. Pa ulur vlerën e rezultateve pozitive të arritura nga Hallaçi apo edhe “Armatën e Veriut” që ishte në nivel të mirë, shumë tifozë të tjerë kishin ardhur për një fotografi dhe të shihnin nga afër Dijonis Biban, Aleks Vishën dhe Cllevio Serbianon.

Dy personazhet e njohura të rrjeteve sociale dhe këngëtari Cllevio Serbiano kishin njoftuar mbërritjen e tyre në stadium. Kaq mjaftoi dhe shumë të rinj do të dilnin përpara hyrjes së stadiumit për të bërë një foto me ta. Gjithashtu edhe në shkallët e stadiumit, shumë prej të rinjve nuk e kishin aspak mendjen te ndeshja por nxitonin që të shkonin në ulësen ku gjendeshin këta personazhe për të bërë një fotografi.

Videot janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe duhej pikërisht kjo ndeshje për të kuptuar se jo të gjithë kuksianët kanë shkuar në Londër, qyteti ka ende jetë dhe rini. E gjitha kjo situatë duhet të shërbejë si një leksion për Kukësin dhe klubet e tjera. Jo gjithçka duhet kërkuar te Federata, por duhet të jenë vetë ekipet që të kenë politikat e tyre për të afruar tifozët. Për sa kohë pakkush ka interesin për të parë një event që zgjat shumë dhe shoqëria po kthehet gjithmonë e më tepër në konsumimin e shpejt, qoftë edhe të rrjeteve sociale, atëherë ky interes duhet ndërlidhur edhe me futbollin.

E teksa klubet publikojnë vetëm çmimet e biletave dhe njoftojnë vetëm datat e ndeshjeve, pa menduar asnjë politikë tjetër për afrimin e tifozëve, pamja do të jetë kjo, jo shumë e bukur për t’u parë. Dhe këtu nuk ka asnjë diskutim për ndërhyrjen në garë apo ecurinë jo të mirë të ekipit, kohët kanë ndryshuar dhe ne duhet të përshtatemi me to. Në fund, diçka është e sigurt, një publikim i Aleks Vishës, Dijonis Bibas apo Cllevio Serbianos që do të jenë në stadium për të parë një ndeshje sjell më shumë tifozë sesa çdo publikim i klubeve. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *