“Egnatia do të jetë si rasti i Kukësit në Superiore”! Malota është i sigurt: Pse jo të arrijmë në vendin e 2, më vjen keq për Laçin që e shoh kështu…

Laçi po shkon gjithmonë e më keq nisur nga rezultatet e fundit. Pasi po vuan në kampionat dhe po diskuton mbijetesën, kurbinasit mbyllën derën e vetme që mund t’i dërgonte në Europë, Kupën e Shqipërisë. Për më tepër mënyra sesi ka humbur ndaj Egnatias sot në shtëpi nuk lë vend për shumë shpresë.

Egnatia arriti të fitonte më shifrat 0-3 në transfertë për të siguruar kalimin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Autogoli i Velkovskit i hapi rrugën suksesit të Egnatias, i ndjekur nga golat e Redi Kasës dhe Fernandos. Një arritje e madhe kjo e Egnatias që kërkon të arrijë shumë në këtë sezon. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Malota: “Egnatia më kujton vitin e parë kur Kukësi erdhi në Superiore. Më kujton këtë gjë pasi është i njëjti investim i madh. Këtu janë marrë lojtarë shumë cilësorë, presidenti na rri afër dhe mendoj se do të jetë si atëherë me Kukësin. Objektivi ynë? Të themi për titullin kampion, nuk mundemi pasi kërkon shumë vite investime. Megjithatë i kemi të gjitha mundësitë për të dalë në vendin e dytë, pse jo. Do të doja shumë që të arrija në Europë nga kampionati, por edhe Kupës duhet t’i shkojmë deri në fund. Laçi? Më vjen keq që i shoh në këtë gjendje, nuk e di se çfarë nuk shkon aty”.

Mezani: “Dola këtu për respekt. Nuk mund të merrem me fatin, ekipi ka nevojë për diçka tjetër që të ndryshojë. Ekipi duhet të luftojë në çdo ndeshje. Më vjen keq sepse nuk arrita të bëja dot atë që duhej. Dola këtu vetëm për respekt, ndryshe nuk do të dilja”.

Tetova: “E pritëm Laçin dhe e goditëm me kundërsulm. Cdo gjë shkoi sipas planeve, na ndihmoi edhe pak fati në fillim kur Sherri priti një rast të mirë për Lacin. E përgëzoj Redi Kasën për atë lloj goditje që bëri te goli. Këto janë ndeshje që zgjidhen me episode. Donim të ishim pak të tërhequr pasi Laci kërkonte që të fitonte me patjetër pasi është në moment të keq edhe në kampionat. Djemtë po ndjekin 300% idetë e mia. Mjafton që Egnatia të shkoj në Europë, nuk ka rëndësi nëse kalon nga kampionati apo nga Kupa. Ky triumf shkon për të gjithë Rrogozhinën”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *