Eneo Bitri u largua dhe Partizani kishte dhimbje koke, kush do ta zëvendësonte? Pa kërkuar të ngremë apo ulim vlerat e një lojtari, por Bitri ishte i pazëvendësueshëm tek te kuqtë. Dukej të ishte niveli tjetër në Superiore, veçanërisht pas ardhjes së dytë nga ajo aventurë europiane.
Këtë herë e thirri Çekia, por pavarësisht dashurisë për Partizanin, Bitri duhet të qëndrojë i qetë, Eljon Sota është aty. Ky i fundit u rrit me Eneon dhe tashmë ia ka mësuar të gjitha “hilet zanatit” për të qenë udhëheqësi i prapavijës.
Shenjat e potencialit që zotëron i kishte shfaqur kohë më parë, në ndeshje dje ndaj Vllaznisë tregoi se ishte i pjekur. Thuajse çdo duel i fituar, nuk rrezikonte në mbrojtje dhe nxirrte top jashtë vijave kufizuese për të mos kaluar në vështirësi ekipin e tij dhe dinte se kur duhej të bënte faullin taktik.
Praktikisht dje dukej sikur muri kalohej dhe Sota JO. Nota 10 e merituar për një performancë mbreslënëse që meriton vetëm duartrokitje. Po aq sa edhe Kolela që nuk e ka vendosur asnjëherë në dyshim aktivizimin e tij. /Sport Ekspres/