Ditën e sotme u regjistrua java e 25 e “Abissnet Superiore“-s dhe mbeten edhe 11 të tilla deri në fund të kampionatit. Tirana është ngritur menjëherë pas humbjes në derbi, duke mposhtur Laçin me shifrat 3-2. Tre pikë të vlefshme për bardheblutë, të cilët tashmë shkëputen 2 pikë larg Partizanit. Këta të fundit u mjaftuan vetëm me një barazim 1-1 kundër Vllaznisë.
Ndërkohë gara për një vend në Kupat e Europës vazhdon të mbetet e ndezur. Erzeni është kthyer përsëri te fitorja dhe i shpall “lu.ftë“ Egnatias për vendin e tretë. Fitorja e fundit erdhi pikërisht kundër rrogozinasve, me të cilët tashmë i ndan vetëm 1 pikë. Jo shumë larg Egnatias ndodhet edhe Kukësi, që ka ndryshuar tërësisht fytyrë me Rrahman Hallaçin. Verilindorët kanë dalë nga zona e ftohtë e renditjes dhe tani janë vetëm 3 pikë larg vendit të tretë, i cili të siguron pjesëmarrjen në Europë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/