Partizani-Tirana është derbi që mbërthen gjithmonë kureshtjen e tifozëve të futbollit në Shqipëri. Por përveç spektaklit të mbështetësve në tribuna, asgjë tjetër nuk kujtohet nga cilësia e lojës në fushën e blertë. Përshembull, ndeshja e mbyllur tani mes Erzenit dhe Egnatias të lë një shije keqardhje që stadiumi nuk është i tejmbushur si në derbi pasi u prodhua spektakël i vërtetë, ku vendasit fituan 2-1. Në fillim Erzeni kaloi në avantazhin e dyfishtë ku Kahrimanovic shënoi në të 33 dhe Nonato shënoi të dytin në të 38.
Askush nuk e priste që Erzeni të fitonte kaq e lehtë pasi nga ana tjetër ndodhej Dëamena, sulmuesi më në formë i Superiores. Ky i fundit arriti të ngushtonte diferencat në minutën e 45. Pjesa e dytë vazhdoi me spektaklin ku Nonatos iu anulua goli në minutën e 73 dhe Dëamenas në të 85. Në minutat e fundit Dëamena kishte edhe dy raste të pastra ku në njërin prej tyre ishte shtylla që e ndaloi, ndërsa në tjetrën portieri i Erzenit. Në të njëjtin nivel loje ishte edhe Erzeni që po kundërpërgjigje me kundërsulme teksa Nonato kishte një tjetër mundësi të artë, por Sherri i mohoi golin. Sa nga njëra portë në tjetrën, në fund fitoi futbolli. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Kapllani: “I thashë djemëve para ndeshjes që ta vazhdonim ndeshjen sot atje ku e lamë në Ballsh. Djemtë tanë janë heronj, treguan karakter dhe durim. Ne vinim pas disa barazimeve dhe kjo fitore do të na vlejë. Shpreojmë se do të ecim këto hapa deri në fund. Të ulim kokën, të festojmë sot dhe nga nesër të fillojmë të mendojmë për javën e ardhshme”.
Tetova: “Pjesa e parë ishte “JO” për ne. Kemi çaluar në mbrojtje, Malota ishte me dhimbje koke dhe Kacbufi nuk mund të luante për shkak të kartonëve. Ne ishim në një ditë të keqe. Kur çalon mbrojtja, nuk shtyn dot përpara. Në pjesën e dytë ndryshuam modulin dhe luajtëm me dy sulmues. Ishim më të qartë për të shkuar te goli”.