Eneo Bitri luajti ndeshjen e tij të parë në kampionatin çek kundër Hradec Kralove-s. Mbrojtësi shqiptar po nis të përshtatet me ekipin e ri, me të cilin kërkon të arrijë edhe Kombëtaren. I ftuar nëpërmjet një lidhjeje direkte në emisionin “Analizë Kuq e Zi”, Bitri ka pohuar se ka një dëshirë të madhe për të veshur fanellën e ekipit kombëtar, por ende nuk ka marrë një sinjal nga trajneri Silvinjo.
“Me dëshirën më të madhe do të doja të grumbullohesha. Vetëm kur dëgjoj himnin emocionohem shumë, ndaj e kam ëndërr të jem aty. Sa herë të vijë ftesa, unë do të jem gjithmonë gati për të ardhur.
A kam marrë ndonjë sinjal nga Silvinjo? Të them të drejtën jo, pasi në ndeshjen e fundit me Partizanin, ai u largua 7-8 minuta para fundit të ndeshjes. Ky nuk është një sinjal i mirë në fakt”, ka thënë Eneo Bitri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/