“Abissnet Superiore” ka humbur dy nga lojtarët e saj më të mirë në merkaton e janarit. Redon Xhixha dhe Xhuliano Skuka lanë përgjysmë rivalitetin e tyre në Shqipëri, për të vijuar karrierën jashtë saj. Sulmuesi i Tiranës udhëhiqte listën e golashënuesëve me 11 gola të shënuar dhe fill pas tij, me vetëm një gol më pak, vinte sulmuesi i Partizanit.
Por edhe pse kanë një muaj që nga largimi nga “Abissnet Superiore”, dyshja qendron sërish në majën e listës së golashënuesëve më të mirë. Xhixha dhe Skuka janë ende të paprekshëm në këtë klasifikim, duke dëshmuar diferencën që arrinin të bënin në kampionatin tonë. Që nga momenti i largimit të tyre janë zhvilluar 5 javë kampionat, por ende asnjë lojtar tjetër nuk ka mundur të shkojë në kuotën e 10 golave. Futbollisti që qendron më pranë tyre në listë është Hasani i Tiranës, i cili numëron 9 gola me fanellën bardheblu dhe shihet si kandidati kryesor për të kapërcyer shifrat e vendosura nga Xhixha dhe Skuka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/