Pas një muaji në Çeki, Eneo Bitri ka debutuar sot te Banik Ostrava. Ishte ndeshja e parë në një miqësore kundër Frydek Mistek, e mbyllur me shifrat 1-0. Edhe pse ishte një ndeshje kundër një ekipi të ligës së tretë, Bitri i ka bërë çekët që të “çmenden” pas tij me 63 minutat e para që ka zhvilluar si lojtari i Ostravës.
“Mbretëroi në ajër, nuk kishte frikë të zgjidhte pasimet e gjata, fitonte çdo duel, edhe pse ndonjëherë me ndihmën e bërrylave. E kishin shkallën e suksesit në dyluftime në 78 përqind. Nuk gaboi asgjë nga 31 pasimet e dhëna dhe mund të jepte një asist nëse shoku i ekipit do ta finalizonte aksionin. Doli duke buzëqeshur dhe duke bërë me dorë nga tribuna teksa mbante shishen e ujit në dorë. Shokët e ekipit e shpërblyen me duartrokitje kur e mbylli pjesën e parë me një ndërhyrje me rrëshqitje të saktë”, shkruhet nga media çeke “Isport”.
Vlerësimet pozitive kanë ardhur për Bitrin edhe nga trajneri i Banik Ostrava, Pavel Hapal. “Bitri bëri ndeshje të mirë. Ne i dimë aftësitë e tij, ai thjesht kishte një dëmtim dhe prandaj nuk është aktivizuan më herët. Gjithashtu kërkonte kohë që të përshtatej me futbollin këtu. Ka qenë me shiritin e kapitenit te Partizani, ka aftësi drejtuese dhe besim. Përveç kësaj është 26 vjec dhe ka kaluar diçka pas vetes”, tha trajneri i çekëve. /Sport Ekspres/