Thomas Strakosha ka dhënë një rrëfim ndryshe për mediat greke. Aktualisht lojtar i Brentford, portieri ynë po ndiqet nga fati i keq i dëmtimeve që po ia bëjnë edhe më të vështirë ambientimin në Premier League. Në rrëfimin ndryshe për “Sport24.gr”, Strakosha shprehet se mund të luante për Greqinë, por pavarësisht dashurisë që ndien për këtë vend, duhej të zgjidhte Shqipërinë pasi këtu janë rrënjët e tij. Gjithashtu portieri e cilëson si një turp të madh nëse Shqipëria nuk arrin të kualifikohet në Europian me lojtarët që ka në zotërim.
“Kur u nisa për në Itali isha 16 vjeç. E kisha si synim të largohesha nga Greqia dhe të luaja jashtë, sepse gjërat kishin filluar në mënyrë të tillë që nuk po shkonin mirë. Me fjalë të tjera, largimi në një moshë kaq të re më ndihmoi të piqesha, të mësoja të përballoja vetë në mjedise që nuk i njihja, që nuk i kisha mësuar.
Vend i huaj, gjuhë e huaj, mentalitet i huaj. Për shkak të moshës ishte e vështirë, sepse ndryshon tërësisht planin që kishe deri atëherë. Po mendoja se si do të ofroja dhe si do ta ndihmoja familjen time që të mos kishte më probleme, as financiarisht, as psikologjike. Kështu që qëllimi im ishte më i madh se vetë futbolli dhe kjo më motivoi dhe më shtyu të shkoja përpara dhe të mos mendoja për dështimin.
Është gjithmonë në mendjen tënde, por kur ke një qëllim dhe jep gjithçka, të paktën thua se u përpoqa. Kombëtarja? E dua, e vlerësoj dhe e respektoj Greqinë, por unë dhe prindërit e mi jemi nga Shqipëria dhe mendoj se është më e përshtatshme të luaj për Kombëtaren Shqiptare. Mund të zgjidhja edhe Greqinë, por unë dhe prindërit e mi i kemi rrënjët në Shqipëri. Dhe është mirë që në Kombëtare të jenë emrat më cilësorë që janë shqiptarë për të ndihmuar skuadrën që të fillojë të ndërtojë emrin e saj.
Mendoj se në vitin 2024 mund të jetë sërish në Europian sepse kemi një brez të ri me shumë talent, lojtarë shumë të mirë dhe me mentalitet europian. Ka shumë lojtarë që luajnë jashtë vendit. Të gjithë bashkë ia dalim prapë. Polonia është favorite e grupit, por ne duhet të jemi patjetër në vendin e dytë që të kalojmë më tej. Do të jetë turp nëse nuk do të shkojmë në Europian, ne kemi talent”, tha Strakosha. Më pas rrëfimi ka vazhduar për të treguar ndryshimet mes Premier League dhe Serisë A.
“E kisha ëndërr që të luaja në Premier League dhe kjo është arsyeja pse nuk pranova ofertat e tjera që kisha në kampionatet e tjera. Mendoj se ishte mosha e duhur për të ardhur në Angli. Unë anulova çdo gjë tjetër vetëm për të ardhur në Premier League dhe mendova se Brentford ishte klubi i duhur për mua për të bërë një hap, jo mjaftueshëm të madh, për t’u integruar, për t’u përshtatur, sepse ka kaq shumë dallim mes Premier League dhe Serie A.
Ajo që shoh nga skuadrat në Angli është se ka më pak presion në krahasim me Italinë ku isha unë. Këtu kënaqesh me stërvitjen, nuk ka përshembull si procesi i të shkuarit në hotel për të fjetur para ndeshjes, siç ndodh në shumë vende të tjera. Kjo mund të tingëllojë pa kuptim, por ju nxjerr nga rutina. Ndoshta në shtëpi, për shembull, pushoni më mirë, nuk ndjeni presion dhe shkoni tre orë para ndeshjes për të ngrënë dhe për të luajtur.
Në thelb ju largon çdo stres ose energji të keqe që mund të keni, sepse shikimi në katër mure sigurisht që nuk ju ndihmon. Në shtëpi jeni edhe me njerëzit që doni, me familjen tuaj, që është gjithashtu një pjesë e madhe që ju ndihmon.
Në Angli kur një lojtar duhet të qetësohet psikologjikisht i jepen disa ditë pushim, gjë që në Itali nuk kishte si ta bënte këtë. Atyre nuk u intereson si jeni në këtë pjesë dhe për fat të keq, janë shumë mbrapa. Përkundrazi, në Angli e kanë prioritet gjendjen psikologjike të sportistit, ndaj e kombinuar me stërvitjen e mirë, por edhe ambienti ku jetoni ndikon në qetësinë tuaj shpirtërore”, tregon gardian kuqezi.
Por a është Thomas Strakosha më i mirë se Foto Strakosha? “Për mua nuk do të jem kurrë më i mirë se babai im. Po ta pyesni, ai do të thotë që djali im është shumë më mirë. Për mua akoma jo. Kur të shkoj në moshën e tij mund t’ju them po, kam qenë më mirë. Babai im nën shtyllat e portës ishte shumë i mirë. Ajo që e kam shumë zili tek ai është personaliteti që tregoi në fushë. Më është skalitur në mendje.
Kam pasur një kasetë kur kam qenë i vogël që ka pasur momentet më të mira të babait tim. Duhet ta kem parë mbi një milion herë. Ai kishte një kërcim brenda portës për të cilin unë isha pafundësisht xheloz. Për mua, babai im ishte njeriu kundër të cilit nuk mund të shënoje gol”, përfundon Strakosha. /Sport Ekspres/