Masimiliano Alegri është shfaqur i nervozuar përpara mikrofonit të “Sky Sport”-it pas përfundimit të ndeshjes kundër Nantës mbrëmjen e djeshme. Juventusi ka barazuar 1-1 dhe kritikat nuk kanë munguar për të. Pjesëtarët e panelit i vënë në dukje se skuadrat e tij pëlqejnë të fitojnë nga 1-0 dhe kjo ka ngjallur zemërimin e Alegrit. Trajneri i Juventusit i kujton specialistëve dhe gazetarëve të pranishëm në studio statistikat e tij.
“Ka vetëm një gjë që ka rëndësi në futboll, fitorja. A duan skuadrat e mia të fitojnë 1-0? Jam lodhur duke dëgjuar këto budallallëqe që thoni. Por kush dëshiron të fitojë 1-0? Mos më zemëroni. Shikoni sa gola kanë shënuar skuadrat e mia! Ju flisni për asgjë, për mua flasin numrat. Skuadrat e mia kishin mbrojtjen më të mirë dhe sulmin e dytë më të mirë. Ato kanë shënuar gjithmonë nga 70 deri në 80 gola. Penaltia në kohën shtesë? Është e kotë të flasim për top të prekur me dorë, penallti, karton të dytë të verdhë… Bëmë 1-1, mund të kishim bërë më mirë teknikisht për sa i përket shpejtësisë së topit”, ka deklaruar Masimiliano Alegri./Sport Ekspres/