Barcelona dhe Real Madrid po bëjnë një luftë të ashpër mediatike pasi dolën raporte se klubi katalanas pagoi ish-anëtarin e komisionit të arbitrave Jose Maria Enriquez Negreira për shërbimet e konsulencës.
Pas këtij informacioni, nga Madridi nisën të vinin akuza të ashpra ndaj Barcelonës. Përmes gazetave të tij jozyrtare, Reali po nis një fushatë të madhe kundër rivalit të tij të madh dhe në publik po shfaqen informacione se Barcelona mund të mbetet pa pikë apo edhe të përjashtohet nga La Liga.
Gazeta madrilene Marca ka sjellë një analizë të asaj që ka ndodhur në periudhën nga shkurti 2016 deri në mars 2018, pasi në atë periudhë nuk është akorduar penallti ndaj klubit katalanas. Kjo ‘epokë’ zgjati 746 ditë.
Gjatë asaj periudhe, Barcelona mori 33 penallti në favor, kundërshtarët tre. 23 kartonë të kuq iu dhanë kundërshtarëve, katër për Barcelonën. Që nga viti 2018 dhe përfundimi i pagesave të Enriquez Negreira, situata ka ndryshuar dhe Barcelona ka raportin 31-19 në penallti dhe 24-20 në kartonët e kuq.
Marca ka treguar edhe statistikat e dhjetë viteve të fundit, pra një krahasim mes Barcelonës dhe Real Madridit, pra nga sezoni 2012/2013. Në këtë periudhë katalanasit kanë marrë 88 penallti, Reali 98. Kundër Barcelonës u akorduan 34 penallti, ndërsa ndaj Realit 53 penallti. /Sport Ekspres/