Xhuliano Skuka hyri në histori si transferimi më i shtrenjtë i kampionatit shqiptar. Ish-lojtari i Partizanit është tashmë pjesë e Metz-it në Ligue 2 të Francës, ku në dy ndeshjet e fundit ka pasur pak minuta në dispozicion. Përgjigjen për aktivizimin e pakët të Skukës e ka dhënë vetë drejtori sportiv i klubit francez. Në një intervistë për “Mossel TV”, Pierre Dreossi është shprehur se vetë drejtuesit e Metz-it e dinin që sulmuesi shqiptar nuk është ende gati për futbollin francez. Ritmi mes kampionatit francez është krejt ndryshe nga ai i atij shqiptar, por Dreossi shton se te Metz-i besojnë te Skuka, i cili për ta është një bast për t’u fituar.
“Kemi kërkuar, kemi kërkuar një sulmues dhe nuk është e lehtë në dimër, një sulmues që mund të forcojë ekipin tonë. Ai është një lojtar që nuk është ende gati të luajë në Francë, këtë duhet ta dini dhe ne e dinim. Tani shpresojmë se nuk do të zgjasë shumë për t’u përgatitur. Është një lloj basti për të ardhmen. Nuk do të jetë për një vit apo dy vjet, mund të jetë javën e ardhshme, por ai do të duhet të përshtatet me futbollin francez, i cili është larg futbollit shqiptar, por ai ka grintë dhe kjo do t’i lehtësojë përshtatjen“, ka deklaruar Pierre Dreossi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/