Erzeni vazhdon të befasojë në “Abissnet Superiore“. E nisën sezonin mes vështirësive për liçensimin dhe me investeme të pakta, por tashmë ndodhen në vendin e tretë në renditje. Fitorja e sotme ndaj Vllaznisë, i ka dërguar shijakasit vetëm 5 pikë larg kreut të renditjes. Atmosfera në kampin e Erzenit padyshim që është e ndezur dhe lojtarët kanë të gjithë të drejtën e botës për të festuar suksesin që me mund po e arrijnë dita-ditës.
Por bukuria e kësaj skuadreje nuk përfundon vetëm brenda fushës së blertë, pasi dinë të jenë gjenialë edhe në dhomën e zhveshjes. Njëri prej anëtarëve të stafit të ekipit ka hyrë në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes me Vllazninë dhe i drejtohet lojtarëve: “O çuna, të gjithë pasaportat sepse jemi në vendin e tretë për Europë”. Menjëherë më pas kanë nisur edhe brohorimat e koret e lojtarëve. Një mënyrë mjaft e gjetur nga shijakasit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/