Mbrëmjen e sotme janë luajtur edhe dy sfidat e fundit të javës së 19 të “Abissnet Superiore“-s. Partizani u ndal në një barazim 1-1 nga Egnatia, duke mos përfituar nga ai hap fals i Tiranës kundër Kukësit. Ndërkohë në “Niko Dovana” është luajtur një ndeshje e gjitha për t’u shijuar. Erzeni ka mposhtur Vllazninë me rezultatin 3-2 dhe i kapërcen në tabelën e renditjes, ku tashmë pozicionohen në vendin e tretë. Pas përfundimit të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol” në “Oversport”.
Josa (Vllaznia): “Normal që Erzeni është një skuadër që ka treguar çfarë mund të bëjë. Ka rritur lojën. Mua më takon të flas për skuadrën time, e cila sot u godit në dy raste shumë naïve. Duhet të kishte qenë më e kujdesshme, sepse po luanim me topin në kontroll. U shënua goli i dytë dhe përsëri kishim besim se mund ta kthenim rezultatin. Luajtëm me këmbëngulje. Duhet të ishim më të qartë. Duhet të shërbenim më mirë për dy sulmuesit e qendrës, qoftë për Balajn, qoftë për Kainën. Goli i anulluar? Balaj nuk ishte fare në trajektoren e topit. Largësia e tij ishte e madhe kur Mala ka gjuajtur. Çdo gjë ka mbaruar tani. Është një koment që do vazhdoni ta bëni ju gjatë gjithë javës. Ja ku e keni Balajn, s’ka pasur lidhje fare me pengimin e topit. Nuk dua t’i shkoj kësaj. Ne edhe me rezultatin 2-0, e bëmë 2-1. Aty duhet të ishim më të përqendruar. Goli i tretë ishte një keqkuptim, një mosrendim i mirë i mbrojtjes sonë.”.
Tetova (Egnatia): “Kishim ardhur për një rezultat pozitiv, pasi në ndeshjet e kaluara e dini që ekipi nuk ka pasur ecuri. E kam nisur me punë që në fillim, e trashëgoi më pas Duro. Besoj se do rikthehemi si në fillim, kur të prodhojmë lojë. Jam i kënaqur me rezultatin, nuk i kam kërkuar lojë ekipit. Isha shumë i irrituar me ca faulla që nuk ishin fare. Kishte faull për të kuq ndaj lojtarit tonë dhe nuk u mor asnjë masë”.
Kolela (Partizani): “Më vjen keq për rezultatin. Më vjen keq për djemtë, që kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë. Çmimi i kësaj fitoreje mendoj që duhet t’i shkonte atyre. Jam i kënaqur për paraqitjen. Shpresoj që skuadra ta marrë si një hap mjaft pozitiv. Jam i bindur se nëse ekipi do të vazhdojë të zhvillojë të tilla paraqitje, do të jemi në garën për titull. Sot u barazuam nga cilësitë e një prej lojtarëve të Egnatias. Po të shohim se sa herë na ka rrezikuar Egnatia në portën tonë…”.