Juventusi tregoi karakter në ndeshjen e parë pas dënimit të marrë nga Gjykata Federale e Apelit. Bardhezinjtë barazuan 3-3 kundër një rivali të vështirë si Atalanta dhe kanë marrë përgëzimet e Masimiliano Alegrit. Trajneri i “Zonjës së Vjetër“ është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes. Megjithatë e pranon se situata për ekipin e tij është e vështirë, pasi e shohin veten papritur në vendin e 10.
“Urime djemve për atë që kanë bërë. E vendos veten në vendin e tyre. Psikologjikisht, të shohësh veten në vendin e 10-të nga një ditë në tjetrën, është si të të heqin atë që ke bërë. Nga ana tjetër djemtë ishin shumë të mirë, po ashtu edhe stafi, vetëm duhet të vazhdojmë me shumë krenari siç po bëjmë”, ka thënë fillimisht Masimiliano Alegri.
I pyetur nëse tashmë i duhet të bëjë ecurinë e Napolit, që ka grumbulluar 50 pikë, në mënyrë që të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, Alegri është përgjigjur: “Nuk e di. Besoj se me 71 pikë do të arrijmë Ligën e Kampionëve, por është e vështirë. Duhet të punojmë me qetësi, kemi një javë për të rikuperuar energjinë, pastaj është Monza, Kupa e Italisë, Europa Liga. Të mendosh se ku mund të shkojmë tani është e vështirë. E përsëris, ne shënuam 38 pikë, nëse jo 40, dhe do të ishim në radhë (për Ligën e Kampionëve). Pavarësisht kësaj, Napoli po bën gjëra të jashtëzakonshme“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/