Turneu i Përfaqësueseve Rajonale që organizohet nga FSHF për moshat U-13, U-14 dhe U-15 ka mbërritur tashmë në fazën finale, pasi këtë të mërkurë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz janë zhvilluar ndeshjet e grup-moshës U-13, duke përzgjedhur finalistin e kësaj moshe.
Në Tiranë janë luajtur të gjitha ndeshjet e luajtura në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ku talentet e rinj kanë dhuruar spektakël dhe futboll shumë të bukur. Tirana e kësaj moshe është mundur me rezultatin 1-0 nga Lezha, në një ndeshje mjaft të luftuar. Kryeqytetasit, të cilët janë në finale me dy ekipet e moshave U-14 dhe U-15 nuk ia dolën të preknin finalen edhe me këtë grupmoshë. Sakaq, në ndeshjen tjetër, Shkodra mposhti Durrësin me shifrat 2-1. Durrsakët kaluan të parët në avantazh, por shkodranët përmbysën gjithçka, duke siguruar finalen.
Në ndeshjen për vendin e tretë e të katërt, futbollistët bardheblu triumfuan me rezultatin e thellë 8-0 kundër Durrësit, me pesë gola të realizuar në pjesën e parë e tre gola në fraksionin e dytë të lojës. Sakaq, në finalen e vogël të kësaj grupmoshe, Shkodra mundi Lezhën me shifrat e ngushta 1-0.
Ditën e enjte do të zhvillohen edhe ndeshjet e tjera të kësaj grupmoshe në aneksin e stadiumit ‘Loni Papuçiu’ në Fier, ku shkodranët do të mësojnë edhe kundërshtarin e tyre për këtë grupmoshë. Finalja e madhe do të luhet ditën e premte në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.