Cristiano Ronaldo shkoi në Arabinë Saudite dhe nënshkroi për Al-Nassr. Ky duket të jetë fundi i karrierës së portugezit që nuk pritet të rikthehet më në Europë. Por dikur, Ronaldo nuk kishte një mendim shumë të mirë për kampionate të këtij niveli.
Teksa Xavi do të shprehej se Mesi është më i mirë se portugezi, Ronaldo do të reagonte: “Unë jam lojtari më i kërkuar në internet, njerëzit më duan mua në faqe të parë. Pse duhet të merrem unë me Xavin? Ku luan ky? Në Katar apo ku e di unë se ku, nuk ka rëndësi”, tha Ronaldo atëherë teksa Xavi u transferua në Katar në vitin 2015.
Xavi kishte rastin më të mirë të hakmarrjes pasi u pyet nga gazetarët për transferimin e Ronaldos në Arabinë Saudite, por trajneri i Barcelonës u tregua zotëri dhe nuk goditi nën brez. “Al-Nassr është një klub i madh. Cristiano do të bëjë diferencën atje. Ai do të gjejë një kampionat shumë konkurrues, ku nuk do të jetë e lehtë për të, por ka lindur konkurrues dhe kjo do ta ndihmojë”, tha Xavi. /Sport Ekspres/