“Më thanë që është tip Guardiola, i pëlqen tiki taka”, Cikalleshi është entuziast për Silvinjon: Tenton të fusë garë mes  lojtarëve

Sokol Cikalleshi ka dhënë një intervistë për emisionin “Kuq e Zi” në “Supersport”. Gjatë kësaj bisede nuk mund të mungonin pyetjet në lidhje me trajnerin e ri të Kombëtares, Silvinjon, i cili u prezantuar sot përpara mediave. Cikalleshi është entuziast për emërimin e brazilianit në krye të kuqezinjve, pasi në veshin e tij kanë rënë fjalë shumë pozitive për Silvinjon. Sipas asaj çfarë i ka treguar njëri prej trajnerëve në skuadrën arabe ku aktualisht luan, futbollisti kavajas thotë se Silvinjo ndjek filozofinë e Guardiolës dhe i pëlqen “tiki taka”.

“E ndoqa prezantimin e Silvinjos dhe përfundimin e aventurës së Rejës. Gjej rastin ta falenderoj publikisht për çfarë ka bërë për Kombëtaren, por edhe për mua, pasi në periudhën e tij kam pasur një bilanc pozitiv. Silvinjo sjell një ide të re pas shkollës italiane që kemi pasur në Kombëtare. Një trajner që kam tani në ekip më ka folur për Silvinjon dhe më ka thënë që është tip Guardiola, “tiki-taka”, dhe kjo më pëlqen, pasi është një trajner energjik. Ta shohim si do përshtatet, t’ja lëmë kohës.

Gjërat janë të vështira, nuk mund të themi që ka ardhur trajner i ri dhe do bëjmë direkt kthesën. Jemi në një situatë që nuk i kemi përmbushur objektivat. Si në çdo klub e kombëtare ai që e pëson është trajneri. Ashtu ndodhi edhe me Rejën. Tani ta shohim si do përshtatet Silvinjo me ne. Kam dëgjuar që është energjik dhe se tenton të fusë garë mes lojtarëve dhe me cilësitë e lojtarëve. Nëse do të bashkohen këto besoj do arrijmë shumë.

Reja tha se të rinjtë duhet të jenë më të lidhur me fanellën? Në momentin që nuk kemi rezultate normale që do dalin shumë gjëra në dukje, siç janë këto që thotë trajneri Reja. Ne kemi lojtarë cilësorë dhe kjo ‘të rinj, të vjetër’, besoj se nuk ka më ndarje. T’i heqim këto se nuk kanë shumë vend. Në kombëtaren tonë çdo njeri duhet vlerësuar maksimalisht dhe u duhet marrë maksimumi lojtarëve. Ne që jemi rritur në Shqipëri dhe e kemi nisur aty karrierën për të kaluar më tej jashtë e kemi pasur më të vështirë, ndërsa brezi i ri janë rritur jashtë dhe kanë pasur më shumë lehtësira. Ka ardhur momenti që duhet të jemi më shumë profesionist, si kombëtaret e mëdha që ecin para dhe nuk kapen me këto vogëlsira. Tani trajneri i ri duhet t’i marrë maksimumin çdo lojtari, nga i pari te fundit”, ka thënë Sokol Cikalleshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *