Pele u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Legjenda e futbollit brazilian nuk e fitoi dot betejën e tij me problemet shëndetësore, duke ngjallur trishtim në gjithë botën e sportit në botë. Fjalë të ndjera kanë ardhur edhe nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka reaguar për ndarjen nga jeta të Pelesë përmes llogarisë së tij zyrtare në “Instagram“. Armand Duka ndjen keqardhje për humbjen e një ikone të sportit më të dashur në botë, që ka lënë pas një mori suksesesh dhe rekordesh, që janë një sfidë e vërtetë për t’u arritur për çdo futbollist.
“Futbolli humbi sot mbretin. I madhi Pele, braziliani virtuoz që magjepsi botën me talentin e tij, u nda nga jeta pas një betejë me problemet shëndetësore. Një moment i vështirë për të gjithë ata që patën fatin ta shikonin nga shkallët e stadiumit duke luajtur, por edhe për ato që e kanë njohur përmes historisë dhe bëmave të tij. Do t’i mungojë shumë botës së futbollit, por rekordet, arritjet e tij unike dhe trofetë e shumtë e kanë ngjitur prej shumë kohësh në olimpin e futbollit. Legjendat jetojnë përgjithmonë! U prehsh në paqe i madhi Pele”, ka shkruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/