“Lojtarët kanë nisur ta dashurojnë fanellën”, trajneri i Erzenit flet pas barazimit me Partianin: Këto golat në fund janë si fitore

Erzeni ka luajtur një ndeshje të çmendur ndaj Partizanit, në barazimin 3-3 që prodhoi shumë emocione. Goli i parë i takimit u shënua nga Nonato në minutën e 8, ndërsa Cara barazoi në të 13. Me nisjen e së dytës ishte Rrapaj që kaloi në avantazh të kuqtë, ndërsa Skuka e trefishoi në të 55. Ndërkohë në të 70 erdhi edhe ndërprerja e takimit për shumë minuta pasi breshëri pushtoi Niko Dovanan.

Kur ndeshja u duk e mbyllur, Erzeni u rikthye. Në minutat e fundit të takimit, më saktësisht në të 102, ishte Kadriu që shkurtoi diferencat në 3-2. Ndërkohë në aksionin e fundit të Erzenit para se të mbyllej takimi, Rexhepi gabon në dalje dhe shkakton penallti pas një kaosi në zonë. Arbitri do ta shikonte në VAR rastin dhe Kahrimanovic nuk do të gabonte në të 105 për të dalë me një pikë që shijon si fitore për vetë mënyrën sesi erdhi. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Kapllani: “Këto golat në fund janë si fitore. Ne e nisëm mirë ndeshjen, e filluam me gol. Kemi vazhduar disa momente të mira, por e pësuam nga distanca. Partizani dihet për vlerat që ka dhe kërkon titullin kampion. Pjesën e dytë e nisëm shumë keq. I kishim thënë djemve që të kishin kujdes vetëm ato minutat e para me nisjen e pjesës së dytë. Kjo pikë e marrë sot do të na vlejë shumë për të ardhmen. Lojtarët kanë nisur ta dashurojnë fanellën. Na mungon tifozi, lojtari i 12, shpresojmë ta kemi në të ardhmen”.

Kolela: “E çfarë ndodhi në fund? Thjesht kundërshtari shënoi dy gola dhe kaq. Kanë ngulmuar deri në fund dhe na ndëshkuan. Përgjegjësia e parë është e imja në çdo moment, nuk ka të bëj vetëm sot, dje apo nesër. Ne menduam se e kishim fituar ndeshjen, Erzeni shfrytëzoi mundësitë e saj dhe na ndëshkoi. Por sigurisht që përgjegjësia është e imja. E ndryshova katër herë skemën e lojës, për fat të keq kisha zëvendësime të detyruara. Goli i Carës? Kur një sulmues ka kohë që nuk shënon, goli i parë që do të shënoj është një eurogol”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *