Në ditën e sotme janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së 13 në Abisnet Superiore. Laçi i Gentian Mezanit ka arritur të fitojë me shifrat 1-0 ndaj Bylisit. Goli i vetëm është realizuar nga ana e Adelekes në minutën e 40.
Bylisi kërkoi me të gjitha forcat për të barazuar rezultatin në pjesën e dytë, por pa ia arritur qëllimit. Nga krahu tjetër, Kukësi është zhytur në krizë. Verilindorët e Dobit janë mundur nga Teuta e Martinit në shifrat 0-1. Goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga Lorenzo Vila në të 60. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Dobi: “Rezultatet nuk shkuan. Unë e shoh që nuk po jepte efektet dhe prandaj e mbyllëm këtu. Falenderoj klubin për mundësinë që më dhanë. Ia bëra të qartë dhe ekipit se unë jap dorëheqjen për të mirën e klubit. Nuk dua të komentoj ndeshjen e sotme pasi janë fjalë boshe. Është e vendosur, nuk ka kthim mbrapa për largimin. Për hir të klubit duhet të ndryshohet diçka, duhen disa sinjale të reja. Unë jam një person, klubi i Kukësit është më i madh”.
Martini: “Ishte një ndeshje jetike, si për ne dhe për Kukësin. Ne e kemi nisur sikur ka filluar kampionati sot pasi pikët na duhen. Ne jemi në një vend në renditje që nuk na tolerohen gabimet. Futbolli do karakter. Ia njoh sedrën këtyre lojtarëve, ia njoh karakterin. Futbolli është burrëri, po shohim Botërorin, po fiton Maroku dhe Arabia Saudite”.
Mezani: “Dalim me një tre pikësh që na bën shumë punë. Pjesa e parë ishte e mirë deri diku. Nuk do kënaqem kurrë derisa ta shoh ekipin të luaj siç duhet. Në pjesën e dytë u tërhoqëm pak më tepër se duhet. Nuk duhet të kënaqemi shumë. Jam shumë i kënaqur me ekipin që gjeta. Mentaliteti im është që lojtarët e mi janë më të mirët e kampionatit. Ishte fusha që nuk na lejoi të luanim, u rëndua shumë në pjesën e dytë dhe prandaj po luanim vetëm me topa të gjatë”.