Aventura e Kristjan Asllanit te Interi po rezulton më e vështirë nga çfarë pritej dhe këtë herë nuk po flasim për rastin e humbur kundër Barcelonës. Qartësisht Inzagi ka shfaqur mungesë besimi te mesfushori shqiptar, shumë ndryshe nga çfarë paraqitej situata në takimet miqësore.
Madje afrimit të Asllanit i dha një peshë të madhe edhe Lukaku, teksa belgu do ta prezantonte me fjalët: “Jam i habitur, është i ri, por mendon si të ishte 30-vjeç”. Kristjani duhej të ishte më së paku zëvendësuesi i Brozovic, pasi në nisje të kampionatit u diskutua edhe ndryshimi i skemës për t’i aktivizuar që të dy nga minuta e parë.
Jo vetëm që kjo nuk po ndodh, por Asllani nuk luan as në mungesë të Brozovic. “La Gazzetta dello Sport” e ka quajtur si një gjetje brilante faktin se Inzagi ka tërhequr dhe improvizuar me Calhangolu në qendër të mesfushës, para mbrojtjes, atje ku duhej të ishte Asllani.
Sipas kësaj media prestigjoze, është thuajse i njëjti rast me Andrea Pirlon, ku sipas tyre lojtari turk ka shkëlqyer në këtë repart në ndeshjet ndaj Barcelonës dhe Salernitanës. “Inzagi duhet t’i japi çmimin Oskar për regjinë më të mirë”, shkruhej në media, duke treguar qartazi se pas Brozovic, Asllani ka edhe Calhangolu që i pengon hapësirat. /Sport Ekspres/