Inaugurohet fusha e re në aneksin e “Kukës Arena”, Duka: Fushat e reja & Uniforma ime po afrojnë më shumë djem e vajza me futbollin

Projektet e Federatës Shqiptare të Futbollit në infrastrukturë dhe përmes shpërndarjes falas të bazës materiale për të gjithë fëmijët në të gjithë vendin po i japin një zhvillim gradual futbollit shqiptar. Këtë herë ishte radha e Kukësit që pas stadiumit moderne “Kukës Arena” të inauguruar pak muaj më parë, tani qyteti do të gëzojë edhe një fushë të re ndërtuar në aneksin e stadiumit përmes një investimi të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kukës.

Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fushe ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit të Lezhës, Kristjan Xhidodaj, futbollistë të vegjël dhe prindër.

Përveç inaugurimit të fushës në këtë ceremoni u shpërnda edhe baza materiale për ekipet e futbollit të kësaj zone në kuadër të projektit “Uniforma Ime” me FSHF-në, që vazhdon të pajisë me uniforma falas të gjithë fëmijët që luajnë futbollit me ekipe në të gjithë vendin nga mosha U-7 e deri në moshën U-19.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi se investime të tilla në bashkëpunim edhe me njësitë vendore janë jetike për të mbështetur zhvillimin e futbollit, teksa një nga prioritetet kryesore të Federatës është futbolli i fëmijëve dhe i vajzave, por pa infrastrukturën e duhur është e vështirë që ky mision të përmbushet plotësisht.

“Në të njëjtën ceremoni ne inaugurojmë këtë fushë të re, ndërtuar nga një bashkëpunim shumë i frytshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit me Bashkinë e Kukësit, një bashkëpunim që nuk ka filluar këtu dhe as përfundon këtu. Ka filluar me ndërtimin e stadiumit të ri, që e kemi inauguruar pak muaj më parë e i ndërtuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Një nga veprat më të bukura jo vetëm të veriut, por i të gjithë Shqipërisë, që i shërben futbollit të Kukësit dhe ne do të vazhdojmë edhe me fusha të tjera, në Kukës dhe qytete të tjera”, – tha Duka, teksa theksoi bindjen e tij se FSHF do të bëjë gjithçka që t’u krijojë kushtet e duhura të gjithë fëmijëve që të realizojnë ëndrrën e tyre për të luajtur futboll.

“Një nga prioritetet kryesore të FSHF-së janë futbolli i fëmijëve dhe vajzave, mirëpo për t’i krijuar kushte fëmijëve dhe vajzave duhet tre komponentët kryesorë: fushat e stërvitjes, uniformat dhe topat e gjithashtu edhe trajnerët për t’i mësuar e për t’i edukuar fëmijët. Kukësi ka një trajner të përgatitur nga shkolla e FSHF-së dhe nëpërmjet projektit madhor Uniforma Ime, me bazën materiale që po shpërndahet për ekipet në Kukës dhe në të gjithë Shqipërinë, unë besoj se i kemi kompletuar fëmijët me uniforma dhe topa, por kemi më pak infrastrukturë dhe për këtë po insistojmë shumë që të kemi sa më shumë fusha futbolli për t’i siguruar fëmijët që të realizojnë ëndrrën e tyre që të ushtrojnë lojën më të bukur në botë, futbollin”, – u shpreh kreu i qeverisë së futbollit shqiptar.

Sakaq, Presidenti Duka u ndal edhe në projektin 100 fushat, si një nismë që tashmë do të ketë edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për të shtuar numrin e fushave të futbollit në të gjithë vendin.

“FSHF ka nisur projekt 100 fushat e këtij projekti së fundmi do t’i bashkohet edhe qeveria shqiptare, që në mbledhje të fundit me kryetarët e bashkive u është kërkuar atyre që të gjejnë hapësira dhe ne e kemi deklaruar dhe e promovojmë në çdo mundësi që kemi, jemi të gatshëm që të financojmë në çdo lloj hapësire, çdo lloj subjekti privat apo njësi vendore, për të ndërtuar një fushë futbolli, qoftë më bar artificial apo natyral.

Uroj që të kemi sa më shumë fëmijë që luajnë futboll, padyshim që ka qenë e vështirë deri dje me shumë pak terrene sportive ose aspak. Jemi para faktit që me fillimin e projektit të rëndësishëm Uniforma Ime është shtuar numri i fëmijëve, vajzave dhe djemve që po i bashkohen ekipeve të futbollit dhe uroj që të shtohen akoma më shumë.

Është detyra jonë, dhe e pushtetit vendor e qeverisë dhe e gjithë prindërve që t’u krijojmë kushte sa më të mira fëmijëve tanë për të qenë fëmijë të shëndetshëm nëpërmjet sportit dhe nuk ka edukim më të mirë se sa nëpërmjet sportit. Futbolli nuk është thjeshtë një garë, por është një lojë nëpërmjet të cilës edukojmë fëmijët tanë dhe pse jo rrisim edhe profesionistë”, – deklaroi Presidenti i FSHF-së.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, njëherësh edhe President Nderi i klubit të Kukësit, vlerësoi kontributin e madh të Federatës Shqiptare të Futbollit, qoftë me investimet në infrastrukturë ndër të cilët edhe stadiumi i ri “Kukës Arena”, qoftë edhe me projektin madhor Uniforma Ime që po jep një impakt të madh në të gjithë vendin.

“Dua të falënderoj Presidentin Duka për gjithë këto investime që për një kohë shumë të shkurtër ne kemi bërë shumë për futbollin në Kukës, sidomos në infrastrukturë në bashkëpunim natyrisht edhe me qeverinë. Tashmë kemi realitet edhe projektin madhor për të gjithë fëmijët në të gjithë Shqipërinë që është Uniforma Ime, një investim i gjithi i FSHF-së dhe besoj se fëmijët janë të garantuar sa i përket edhe uniformës dhe prandaj kemi një numër të shtuar të fëmijëve që luajnë futboll dhe fëmijët e Kukësit e duan futbollin. Realisht pa mbështetjen e Federatës dhe Presidenti Duka, por edhe Kryeministrit Rama, një bashkëpunim i shkëlqyer që ka bërë të mundur këtë vepër të mrekullueshme siç është “Kukës Arena” e më pas këtë fushë, që do t’i shërbejnë jo vetëm fëmijët të Kukësit, por të gjithë atyre që do luajnë në këto fusha. Kukësi është bërë një qendër e rëndësishme sportive e veriut dhe ne po shikojmë mundësitë për të bërë fusha të reja edhe në njësitë administrative të Kukësit si Bicaj, Shtiqën apo Shishtavec”, – tha Gjici.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *