“Broja nuk luajti mirë, aty kalonte edhe treni”! Altin Sulçe: Më mirë lojtarët e Tiranës dhe Partizanit që të qajnë për këtë Kombëtare sesa “yjet”…

Shqipëria barazoi edhe në takimin e fundit të grupeve në Ligën e Kombeve, këtë herë 1-1 me Islandën. Ndaj një kundërshtari që luajti për 90 minuta me 10 lojtarë, duke përfshirë edhe ato 7 minutat të shtesës, nuk kemi arritur që të fitojmë. Në fundin e takimit ndodhi çudia e madhe, shpërthimi emocional i tifozëve shkoi deri aty sa të largonin lojtarët e Kombëtares dhe të mos i pranonin fanellat. Mbi këtë situatë ka reaguar edhe Altin Sulçe, teksa i ftuar në edicionin e lajmeve të “Ora News”, u shpreh mes të tjerash:

“Është problem i madh kur shikon atë skenën e fundit të takimit. Ti aty ke tifozë që kanë ardhur nga e gjithë Europa dhe ka një kosto të madhe që të vish për të parë një ndeshje. Ke biletat e avionit, hotelin, koha e humbur, janë shumë shpenzime të mëdha. Prandaj dua të them se mendja e mijëra tifozëve është për t’u dëgjuar më shumë nga një mendje e trajnerit, nga një mendje e gazetarit. Ata kanë të drejtë pasi janë më shumë sy dhe mendje te Kombëtarja.

Ata tifozë që luten dhe presin në fundin e ndeshjes për një fanellë të lojtarëve, këtë herë i refuzuan, ia hodhën mbrapsht. Na shkaktoi emocione të forta, Kombëtarja të jep emocione të forta në fakt. Kjo është situata. Ne shqiptarët kemi hyrë në Europë nëpërmjet Kombëtares, derdhemi në shesh për të festuar për Kombëtaren. Përjetohej si varka e shpëtimit për ne, tani që nuk e kemi më, e ndiejmë më shumë zhgënjimin.

Nuk ka rëndësi rezultati, nuk ka fare. Ti mund të mundesh dhe në fund gjithmonë i kemi duartrokitur këta djem. Por mënyra sesi mundesh, është për të ardhur keq. Fitojmë në pjesën e parë dhe gjithmonë mundemi ose barazohemi në të dytën. A ka një analizë se çfarë ndodh? Kësaj Kombëtare i mungojnë lojtarët që luajnë me shpirt. Kishe Altin Lalën më para, kishte aq shumë shpirt, sa nuk e di ku e mbante. Një lojtar vetëm 1.60 i gjatë dhe mbante shiritin e kapitenit me gjermanët që janë të gjithë nga 2 metra të gjatë.

Pikërisht për këtë shpirt po flas, pikërisht është ky shpirti që ne na mungon tani. Tani ecin, nuk vrapojnë mirë. Hyri Broja dje, erdhi nga stoli, ishte i freskët dhe nuk bëri mirë. Le ta themi tani që nuk bëri mirë. Aty kishte hapësirë për të kaluar treni dhe Broja nuk e bëri. Prandaj hyri në fushë, ajo ishte detyra e tij, të mbyllte ndeshjen.

Unë mendoj se mes një lojtari të Shqipërisë dhe një lojtari të huaj dhe të rritur në Spanjë, Angli, Itali, ne duhet t’i japim më shumë prioritet këtij lojtari të Shqipërisë. Se ky është lindur dhe rritur në Shqipëri me ëndrrën që një ditë të arrijë në Kombëtare, jeton në këtë përditshmëri dhe e ndien më shumë këtë fanellë. Dua më shumë një lojtar të Tiranës dhe Partizanit që të qajnë për këtë Kombëtare sesa të përfundojmë në skena të tilla, kur lojtarët nuk pranohen nga ana e tifozëve. Te Kombëtarja po thonë që të rinjtë nuk po luajnë. Le t’i japin me emra kush është? Se I ri aty është Asllani, është Broja. Nëse nuk luajnë, atëherë mos të futen. Është tjetër gjë të luash në klub të madh dhe tjetër të jesh pjesë e Kombëtares, është emocion i veçantë”, tha Sulçe. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *