Shqipëria do të përballet në ditën e nesërme ndaj Izraelit. Në konferencën e sotme për shtyp ishte trajneri Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj. Në fillim ishte mbrojtësi shkodran që ka folur për këtë takim. Ndërkohë më pas ishte momenti për trajnerin italian, Reja, i cili tregoi paksa profilin e lojës që ka menduar me Izraelin.
“E njoh pak forcën e Izraelit, sepse e provuam dhe e vuajtëm në Shqipëri. Ne shpresojmë të bëjmë më të mirën. Ka shumë kualitet, nuk kanë rëndësi mungesat. Izraeli kërkon të fitojë, ashtu si ne. Do të shohim se kush e meriton, se kush do të ketë mentalitetin e duhur. Ne luajmë për të treguar sesa vlejmë. Unë jam i bindur se do të bëjmë ndeshje shumë të mirë. E kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj jave duke pasur idenë në kokë se na duhet vetëm fitorja.
Do të shpresoja se këtë herë, episodet të jenë me ne, të kishim fatin me ne, jo të na ndëshkonte si herët e fundit. Tifozët e Izraelit do të jenë të zjarrtë, por ne nuk do të lejojmë hapësira dhe të kundërsulmojmë mirë. Pres të futemi në fushë pa frikë dhe pa inferioritet. Ne kemi pasur mungesa edhe në të kaluarën, por jemi paraqitur mirë. Në fillim duhet të mbrohemi mirë, të mos pësojmë, të markojmë dhe më pas duhet të nisemi në kundërsulm”, tha Reja. /Sport Ekspres/