Zemilkan Abakarovi i dhuroi Shqipërisë medaljen e parë të artë në sportin e mundjes. Mundësi çeçen i natyralizuar në shqiptar triumfoi në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Beograd, ku ngriti lart flamurin kuqezi. Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes ka dhënë një prononcim për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku i gjendur përkrahë Abakarovit ka treguar emocionet e mëdha që ka ndjerë nga ky sukses.
“Një moment magjik për të gjithë ata që janë patriot. Kam edhe unë emocione që jam pranë kampionit të botës. Emocionet që Zemilkanit na ka përcjellë kanë qenë të mëdha. Nuk ngopemi duke e falenderuar për atë që ka bërë. E ka vërtetuar tashmë për çka ka zgjedhur të garojë me ngjyrat kuqezi, për mua personalisht, është një bast i fituar. Faleminduar që ky proces të finalizohej me nënshtetësinë. Është një ëndërr e kthyer në realitet. Çdo ditë kemi një diskutim me Zemilkanin që të flasë shqip”, Sahit Prizreni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/