Armando Broja ka shkëlqyer në ndeshjen e fundit të Champions League mes Chelsea dhe Salzburg. E gjithë bota e futbollit do të fliste për këtë sulmues si të ishte Haland, të paktën për një mbrëmje. Nga porta në portë, duke përdorur vetëm Armando Brojën në një ndeshje të Champions League. Kjo nuk është pak, por Ziyech mendoi të hidhte në kosh gjithë magjinë e shqiptarit pasi e shpërdoroi pasimin e tij.
E vetmja gjë që i mungon sulmuesit tonë është shënimi i një goli, për ta zhbllokuar nga ana psikologjike. Kjo vihet re qartë dhe është parë më herët te Southampton. Tashmë Chelsea nuk do të ketë më ndeshje dhe takimi i radhës për Brojën do të jetë me Shqipërinë për Ligën e Kombeve. Më pas vjen koha për një kalendar të ngjeshur që në fillim të tetorit, me takime në çdo tre ditë dhe dy prej tyre do të jenë menjëherë me Milanin në Champions League.
Nëse Broja arrin të marrë në shpinën e tij Shqipërinë dhe të shkëlqejë me golat e shënuara, padyshim që brenda pak kohësh do të kthehet në yll botëror te Chelsea me besimin e fituar. E gjitha kjo situatë ka ndodhur më parë dhe historia është vërtet interesante, pasi duket si një Deja Vu. Armando që vuante për realizimin e një goli teksa ishte pjesë e Chelsea, vinte te Shqipëria për të marrë besimin në vetvete dhe kthehej sërish në Londër për të shpërthyer si më parë. Diferenca e vetme ishte se bëhej fjalë për grupmoshat.
Disa kohë më parë kur Armando Broja është rrëfyer për prestigjozen “Goal”, tregon sesi Kombëtarja e Shqipërisë “i shpëtoi” karrierën. Në kohën kur sulmuesi në fjalë ishte pjesë e U-17 të Chelsea-t, nuk po kalonte një sezon të mirë. Teksa qëndronte në stol për pjesën më të madhe të ndeshjeve, lojtari kishte humbur gjithë besimin te vetja duke u stërvitur pak dhe shpërdoruar shumë para porte.
Situata ishte jo pak serioze dhe prindërit po e shtynin që të mos largohej nga futbolli në atë moment. Papritur do të vinte ftesa e Shqipërisë me grupmoshat e saj, që kërkon ta kishin Brojën në gjirin e tyre. “Në vitin e parë në ekip te Chelsea, kur isha 17 vjeç, nuk pata një sezon të mirë. Isha në stol dhe kur nuk merr një shans vuan. Shënova dy gola gjatë gjithë sezoni dhe isha me të vërtetë i pezmatuar. Prindërit po përpiqeshin të më ndihmonin dhe të më inkurajonin, por unë e kisha humbur besimin.
Edhe në stërvitje humbja shumë raste dhe luaja pak. Pastaj prindërit më nxitën të luaja me Shqipërinë, që më kishte thirrur të luaja me ta në verë. Bëhej fjalë për kombëtaren e 19-vjeçarëve. Mendova se do ishte gjëja e duhur të shkoja, të merrja pak besim në një skuadër tjetër dhe me lojtarë të tjerë. Kisha nevoja ta hiqja mendjen nga Chelsea”, do të shprehej Broja për “Goal”. /Sport Ekspres/