Presidenti i Tiranës nuk do ta prek grupin fitues te bardheblutë, që fituan titullin në sezonin e shkuar të Superiores. Në një prononcim për “Skaner” në “Mcn Tv”, kreu i kampionëve është shprehur se Orges Shehi nuk do të lëvizi nga Tirana, ndërsa nga ana tjetër kërkohet plani afatgjatë me Osmanin.
“Katër javët e para nuk më shqetësojnë aspak. Kam një bindje të jashtëzakonshme, te skuadra te grupi, te trajneri. Është një skuadër shumë e mirë. Atë që është bërë në sezonin e kaluar, ishte një mrekulli. Kam bindjen se skuadra do shkojë para. Do kemi pak durim, jo shumë. Pas ndeshjes së radhës, do shikojmë skuadrën. Besoj se do kemi një ekip shumë të mirë. Unë flas vetëm për ekipin tim dhe kam bindje se skuadra do shkojë shumë para. Sulmi del shumë herë para porte, na duhet të bëjmë golin.
Largimi i Seferit? Ai ka pasur vlerat e mëdha. Kemi një modul loje tjetër, diçka ndryshe nga vjet. Topat kërkoheshin mbas shpine, ndërsa tashmë skuadra luan ndryshe. Kam shumë besim, se skuadra do shënojë më shumë se sezonin e kaluar. Nuk them dot se jemi kandidatët kryesorë për titull. Ne kemi bërë një likuidim të rëndësishëm, që nuk e kemi bërë publik.
Jam i bindur që Shehi do të jetë gjithë sezonin trajner i Tiranës dhe nëse do dëshirojë, do jetë edhe vitin tjetër. Është shumë shpejt për të folur për titullin dhe skuadrat. Të gjithë duan të marrin futbollistë të mirë, por duhen financa. Kam shpresë që të bëj një marrëveshje të gjatë me Osmanin, që të mos më largohet. Kemi bërë një merkato të kujdesshme. Kam besim te lojtarët”, tha Halili. /Sport Ekspres/