Laçi është ekipi që po mban lart emrin e Shqipërisë në Kupat e Europës. Pas mbërritjes së turit të tretë sezonin e shkuar, këtë herë kurbinasit janë një hap larg përsëritjes së të njëjtit sukses. Bardhezinjtë bënë detyrën duke eliminuar Iskran në turin e parë, ndërsa në turin e dytë morën një barazim 0-0 në transfertën me Petrokubin, ku për më shumë se 70 minuta kanë luajtur me një lojtar më pak.
Laçi e ka kryer me përpikmëri detyrën deri në ktë fazë dhe tashmë është radha e tifozëve të bëjnë të njëjtën gjë. Nënkampionët e Superiores kanë bërë thirrje për tifozerinë që të jetë e pranishme në “Elbasan Arena“ për të mbështetur skuadrën në ndeshjen e kthimit kundër Petrokubit. Ndeshje kjo, ku do të përcaktohet se cili ekip do të kalojë në turin e tretë të Ligës së Konferencës.
“Ditën e enjte të gjithë në stadium për të mbështetur ekipin e zemrës“, shkruan klubi i Laçit në faqen zyrtare në “Instagram“, ku ka shpërndarë edhe dy foto të tifozerisë së vetë që ka mbushur shkallët e stadiumit për të qenë pranë skuadrës. Diçka të cilën kurbinasit presin ta shohin edhe mbrëmjen e së enjtes./Halit Delibashi-Sport Ekspres/