Opinion nga Drilon Xhepollari
Aventura e Partizanit në Europë, përfundoi në turin e parë të Conference League, dhe natyrisht zhgënjimi ishte prezent te të gjithë në kampin e kuq. Çdo humbje lë pas trishtim, aq më tepër kur bëhët fjalë për të arkëtuar para, por nga disfatat mund të mësosh. Dhe te Partizani duhet të tregohen profesionist.
Menjëherë pasi Maguette humbi penalltinë e fundit, kritikat vërshuan ndaj Dritan Mehmetit. Po çfarë faji ka trajneri?! Duket paradoksale, dhe e paimagjinueshme sesi brenda 1 ndeshje një trajner i suksesshëm të kthehet në dështak?!
Arritja e Partizanit në Europë është meritë ekskluzive e trajnerit dhe vetëm e tij, pasi nga një ekip që ndodhej në zonën e ftohtë me punën e tij të palodhur, taktikën, përkushtim dhe modesinë që e karakterizon, Mehmeti arriti t’i ngjis të kuqtë në shkallën e tretë të podiumit. Por si për ironi të fatit, ai edhe pse arriti t’i kualifikojë në Europë, disa që kanë alergji nga suksesi dhe vjellin vrerë mbi arritjet, të bukurën, u shprehën se Partizani duhet të afrojë një trajner me eksperiencë. Deklarata dashakeqëse për të minuar punën e stafit teknik dhe prishur ekulibrin në kampin e kuq. Diçka që ndodh rëndom në vendin tonë…
Por presidenti Demi ishte i palëkund dhe vazhdoi me Mehmetin “vilonë” e parë. Skualifikimi nga Europa, nuk është faji i trajnerit, por sistemit se si funksionon futbolli shqiptar. Nuk mund të pretendosh të shkosh në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane duke afruar lojtarë nga YouTube, me kontrata një vjeçare dhe të modifikosh skuadrën çdo merkato. Për të përqafuar sukses duhet një projekt ambicioz dhe të zgjedhësh njerëzit e duhur për të marrë maksimumin.
Fati i Partizanit është se trajnerin e ka dhe për më tepër Mehmeti, konfirmoi me punën e tij se e meriton të jetë në krye të ekipit… Grupi gjithashtu është cilësor dhe me pak lëvizje të kujdesshme, duke afruar një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues goli, Partizani, padiskutim do të jetë kompetitiv. Por për të shkuar sërish në Europë, duhet menduar që tani, jo në fund të sezonit me lojtarë pa kontrata e të marrë borxh.
Modelet janë në Europë, e solli edhe Skënderbeu në dekadën e fundit. Presidenti Takaj, ruajti grupin, i besoi trajnerit Mirel Josa, që qëndroi për katër sezone dhe shkoi në fazën e grupeve të Europa League duke shkruar historinë. Në fushë nuk luan trajneri, por futbollistët dhe kur nuk i ke idetë e kristalizuara nuk mund ta gjesh fajtorin te pankina… Pra për të shkuar në majë, Skënderbeut iu deshën plotë 6 vite investim dhe lodhje. Partizani gaboi njëherë me Gegën, tani nuk i falet. Countdown ka nisur, nuk ka kohë për të humbur…