Ermal Tahiri ka treguar problematikat që ka vënë re te Tirana në këtë tur të parë të Champions League-s. Ish-futbollisti shqiptar ka folur në emisionin “Skaner” në “MCN TV” për pikat ku çaluan bardheblutë. Sipas Tahirit, Tirana e ka mbivlerësuar veten pas atij titulli kampion të fituar me diferencë të madhe pikësh. Nuk mund të kërkohet të shitet një lojtar 1 milionë euro, në një kohë kur ekipi nuk mund të kalojë dot një tur në Champions.
“Tirana dhe të gjithë aty e kishin mbivlerësuar veten. Kjo për shkak se kishin dalë kampionë me diferencë pikësh. Por, kjo nuk do të thotë gjë në Champions League. Kjo ishte pika e dobët e Tiranës. Unë pashë dy problematika. E para, ne kërkojmë të shesim lojtarë me 1 milionë euro kur ne në Champions League nuk kalojmë dot një tur. Sot vlera e këtij lojtari bie. Ne nuk mund të kalojmë dot një mbrojtje kur kundërshtari rreshtohet mirë taktikisht.
Ajo që pashë unë, është se Tirana ishte fizikisht shumë dobët. Nuk mund të kualifikohet një ekip, ku 6 lojtarë janë në nivelin e tyre më të dobët. Toshevski dhe Ismajlgeci ishin dobët, po ashtu Totre dhe Hila. Shto këtu edhe De Silva, apo Xhixha që u fut në lojë në pjesën e dytë. Seferi luante me inat.
Nuk mund të çash në atë mënyrë një skuadër të rreshtuar mirë si Dudelange. Luanin shumë mirë me njëri-tjetrin. Nuk kemi qarkullim as nga mesfusha as nga krahët nuk pati krosime. Kur ndryshoi sistemin, aty ishte shkatërrim komplet i Tiranës. Nuk kishte presion nga ana e Tiranës“, është shprehur Ermal Tahiri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/