Për të dytin vit radhazi, ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, U-18 dhe U-19 do të zhvillojnë dy miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Italisë në muajin gusht.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy institucionet e futbollit kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy sfidave miqësore në Itali në datën 11 gusht, teksa edhe grumbullimi i ekipeve tona kombëtare do të bëhet në Koverçano që prej datës 6 gusht.
Fillimisht do të jetë Shqipëria U-18, e drejtuar nga Ardi Behari që do të zbresë në fushë, me kuqezinjtë që do të sfidojnë bashkëmoshatarët italianë më 10 gusht në këtë miqësore luksinë Koverçano, ndërsa një ditë më pas, do të jetë skuadra e drejtuar nga Armando Cungu që do të masë forcat ndaj Italisë U-19.
Të dy trajnerët dhe stafet e ekipeve kombëtare U-18 dhe U-19 kanë mundësinë të testojnë futbollistët që do të ftojnë në këto dy ndeshje të rëndësishme ndaj një kundërshtari prestigjioz si Italia.
Kjo është një mundësi shumë e mirë kryesisht për Kombëtaren U-19 dhe stafin e këtij ekipi për të kolauduar grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022/2023, ku kuqezinjtë janë shortuar në grupin 7 me Belgjikën dhe Spanjën. Këto ndeshje do të luhen në Belgjikë në muajin shtator, në datat 21 dhe 24 shtator.
Shqipëria U-19 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e miqësore përgjatë këtij viti, teksa edhe ekipi i drejtuar nga Ardi Behari ka zbritur disa herë në fushë nga muaji janar i vitit 2022, duke testuar disa dhjetëra lojtarë që aktivizohen brenda e jashtë vendit.