Shqipëria zhgënjen edhe në ndeshjen e saj të fundit për këtë muaj. Kombëtarja nuk ka arritur të mposhtë dot as Estoninë në takimin e sotëm miqësor të zhvilluar në “Air Albania”. Ndeshja ka përfunduar në barazim 0-0 dhe tregoi problemin e kuqezinjve për të gjetur rrjetën e kundërshtarit. Pavarësisht se ndaj Estonisë ishte një përballje miqësore, një fitore do të ishte një sinjal i mirë zgjimi për Kombëtaren, pas atyre rezultateve tërësisht zhgënjyese kundër Islandës dhe Izraelit. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport”.
Bajrami: “Jam shumë i lumtur me debutimin. Ishte një lojë e mirë nga ana ime. Pjesa e parë ishte pak me emocione. Në pjesën e dytë isha më mirë. Karakterin dhe personalitetin e kam. Unë e kam pasur gjithë jetën. Ashtu jam, ashtu luaj, ashtu stërvitem. Besoj do jem pjesë edhe në të ardhmen. E dinim që Estonia do rrinte shumë mbrapa. Detyra jonë ishte ta qarkullonim topin majtas-djathtas që të hapeshin hapësira dhe të fusnim topin për sulmuesit”.
Cekiçi: “E kemi parë edhe në dy ndeshjet e fundit ndodh e njëjta gjë. Rrotullohemi atje në zonë dhe bllokohemi. Nuk e di pse ndodh. Le të shpresojmë që me fillimin e kampionatit të ndryshojë. Besoj se nuk ka të bëjë me skemën. Ndihem më mirë në numër 10-sh. Nëse do kishte ëinger, do bëja rrotacionin me të”.
Vrioni: “Kërkuam të fitonim ndeshjen. Patëm raste. Në pjesën e parë pata unë një rast me kokë, patëm më shumë raste. Tani duhet të pushojmë dhe të bëhemi gati për në shtator në Nations League. Unë besoj te ky grup. Në shtator do të kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve. Në stërvitje punojmë të gjithë së bashku për të kërkuar golin edhe në ndeshje. Do kërkojmë ne sulmuesit të bëjmë gola që Shqipëria dhe tifozët të fitojnë. Mesfushorët na kërkojnë. Duhet të japim vetëm maksimumin dhe të bëjmë gola, sepse është ajo që trajneri na kërkon”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/