Ekskluzive/ “Brojën e keni fryrë, e di Shqipërinë si Southamptoni, na hoqi 2 gola”! Rraklli flet hapur: Hysaj po mbyll karrierën? Unë se lija veten deri këtu…

Nga Klaudio Ndreca

“Jemi lojtarë që vijmë nga ekipe të mëdha”! Historia e Shqipërisë së sotme nuk është vetëm një zhgënjim dhe fryrje mediatike, është një pranim i së vërtetës nga vetë lojtarët që tregojnë muskujt në konferencat e shtypit, por nuk i mbajnë dot fjalët e tyre në fushën e lojës. Një barazim në transfertë me Islandën dhe një humbje ndaj Israelit në shtëpi nuk tregon asgjë nga ekipet e mëdha që luajnë këta futbollistë. A kishte lodhje? Por çfarë do të ndodhte nëse Rusia nuk përjashtohej nga grupi dhe duhej të luanim 4 ndeshje brenda 11 ditëve, dy herë me Rusinë vetëm në këtë periudhë? E vështirë të imagjinohet. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me një figurë të shquar dhe historike të Kombëtares, Altin Rraklli.

Si rrallëherë, edhe Rraklli ka dalë nga vetja duke i folur gjërat troç mbi problemet që të gjithë i shohim, por dikush ngurron t’i thotë e të tjerët e pranojnë me gjysmë zëri. Sipas legjendës së Shqipërisë, Armando Broja është fryrë shumë mediatikisht dhe po provon të luajë te Shqipëria si bën te Southampton. Kur flitet për Elseid Hysajn, problemin e ndan mes skemës së trajnerit dhe ndoshta fundit të ciklit të shkodranit te Kombëtarja. “Unë nuk e lija veten deri në pikën e fundit, te Kombëtarja nuk duhet të vazhdosh të luash për hir të së shkuarës”, thotë Rraklli dhe këto fjalë nuk kanë nevojë për përkthim sepse janë kaq…shqip të pastra.

Altin, për ta nisur me një vlerësim të përgjithshëm nga 4-10, çfarë note do t’i vendosje ti Shqipërisë për këto dy ndeshje?

Atëherë për ta nisur nga nota 4 më e ulët dhe 10 më e lartë, Shqipëria për këto dy ndeshje meriton notën 5 për shumë arsye. Në këto dy ndeshje ekipi ynë ka hyrë me mentalitet të gabuar, me eufori dhe vetë vlerësim të ekzagjeruar. Mu duk sikur lojtarët e Shqipërisë menduan se janë shpallur kampion bote. Pjesa e dytë është i njëjti problem që po na vazhdon. E fitojmë pjesën e parë, futemi në të dytën me idenë se ndeshja është e jona dhe e kemi të fituar, prandaj sthurremi dhe hapemi aq shumë në mbrojtje. Nuk ishim fare atje ku duhej të ishim. Duhet të jemi modest, të kemi luftë dhe karakter. Këtë e kishin israelitët, por na mungoi ne, nuk iu përgjigjëm. Me pak fjalë për mua ka ndikuar vetëkënaqësia e lojtarëve që luajnë kudo në Europë. Sot është dita kur ti duhet të përpiqesh më shumë se kundërshtari që të fitosh.

E kemi drejtuar gjithmonë këtë pyetje, çfarë ndodh që rendimenti i këtyre lojtarëve që luajnë kudo në Europë, nuk zgjat më shumë se 45 minuta?

Ka të bëjë edhe pjesa që lojtarët vijnë nga fundi i kampionatit, janë të lodhur. Sigurisht kjo ndodh edhe me lojtarët e Israelit, por lojtarët tanë janë në kampionate më të njohura dhe kjo i ka munduar më tepër. Por nuk është justifikim, kur luan te Kombëtarja dhe po të bien bateritë, duhet të japësh tepricën tënde. Nuk besoj se është vetëm lodhja që ndikon për mos menaxhimin e ndeshjeve tona.

Por çfarë e ndikon tjetër që të shpërfytyrohemi në një mënyrë të tillë pas 45 minutave të mira?

Duhet të dimë sesi të menaxhojmë ndeshjen. Duhet të dimë sesi të menaxhojmë një ndeshje dhe ta fitojmë, edhe kur rivali na vendos poshtë me lojë në ato minuta, që të fitojmë edhe duke vuajtur. Ishim në avantazh me Israelin, duhej të vendoseshim mirë në mbrojtje. Por taktika nuk ka nevojë vetëm për trajnerin që të themi për Rejën, lojtarët e kanë vetë parasysh sesi duhej të sillen në fushë.

Armando Broja, nëse nuk do të luante, të gjithë do të thonim se Shqipëria do të fitonte thellë me të ndaj Israelit. Doli e kundërta apo jo?

Unë ua kam thënë edhe më parë ju në intervistat tona, Broja është fryrë shumë mediatikisht, më shumë se duhet. Po flas për ju mediat dhe njerëzit e FSHF që e vlerësojnë aq shumë Brojën. Nuk është as Mesi, nuk është as Ronaldo. Broja duhet të mësojë që të luajë për ekipin. Ishin dy raste gjatë ndeshjes që po të pasonte Broja, ua them se ishin dy gola të sigurt. Nuk shërbeu dhe donte të bënte gola vet nga pozicion i pamundur fare, thjesht se e bëri me Hungarinë. Por jo, nuk bëhet kështu. Shqipëria nuk është Southamptoni që ti luan si të duash se ke 40 ndeshje për të luajtur në sezon dhe i rregullon gabimet, nuk bëhet sipas kokës tënde te Kombëtarja. Këtë duhet të kuptojnë lojtarët që bëjnë këto gabime. Apo edhe Etrit Berisha që bëri atë gabimin skandaloz që në vend të nxjerri topin në goditje këndi pas asaj gjuajtje, i lë golin kundërshtarit. Janë gabime shumë të rënda këto.

Këtë brez e kemi cilësuar si më të mirin e historisë së Kombëtares, por koha nuk po ja jep të drejtë apo jo?

Mediat shqiptare janë kështu, shumë ekstreme, kështu kanë qenë edhe në kohën time si lojtar. Kur humbisnim ne, thonin edhe fjalën e fundit duke na ulur keq përtokë. Pastaj kur fitonim, ishim në qiellin e shtatë. Bënin shumë raportime, por asnjëherë nuk kanë qenë në realitet. Por media këtë punë ka, mua më dhemb pjesa kur vjen nga njerëz të futbollit. Thonë ky është brezi më i mirë i të gjitha kohërave. Këto deklarata vetëm të dëmtojnë sepse ky brez nuk ka arritur asgjë, më thoni se çfarë kanë arritur? Ne nuk i thamë këto fjalë për ata që na dërguan në Europianin e Francës, po i themi për lojtarët sot. Komplet pa pikë baze.

Është bërë histori e mërzitshme dhe e përsëritur, por duhet t’i rikthehemi. Elseid Hysaj ka një sërë ndeshjesh radhazi që nuk po ngrihet në nivelin e lartë, çfarë po ndodh?

Lojtari shpëton, fajtori është gjithmonë trajneri. A ka ardhur Hysaj në fundin e karrierës së tij dhe nuk ka se çfarë të jap më? Këtë e vendos trajneri. Nëse ti e fut në formacion për hir të emrit dhe asaj që ka bërë ai lojtarë në të shkuarën, pavarësisht se po të dëmton lojën, është gabim i madh. Madje edhe unë vetë nuk do t’ia lejoja vetes një gjë të tillë, nuk do ta bëja kurrë, për hir të së shkuarës dhe kush isha. Reja po e fut në një pozicion Hysajn që nuk e ka as natyral sepse godet me të djathtën, jo me të majtën. Por edhe nëse i kthehemi idesë së skemës, prapë është gabim i madh që ta futësh me patjetër thjeshtë sepse Hysaj duhet të jetë në 11 titullare.

Një tjetër temë shumë e diskutuar në Shqipëri është mbrojtja e ardhur nga Seria A dhe golat foshnjarak që pësojmë në çdo ndeshje. Nuk e di për ju, por ne personalisht nuk na jep as gjysmën e garancisë së Lorik Cana-Mërgim Mavraj.

Shikoni, ju thoni Seria A, por nuk e di se kujt Seria A i referoheni. Kjo e sotmja apo asaj të para 25 viteve që kishte ato emrat e njohur që mbetën legjenda të mbrojtjes? Atëherë po, ishte kampionati më i fortë në botë Seria A. Por tani është një kampionat normal, ku Anglia, Spanja janë shumë përpara. Seria A është tani te ato 5 kampionatet më të forta të botës. Por është tjetër gjë ekipi dhe tjetër gjë Kombëtarja. Kur luan me Kombëtaren, ke përballë lojtarët më cilësorë në Europë. Dyshoj se çdo skuadër në Serinë A e ka një lojtar si Solomon i Israelit që i solli aq shumë probleme atyre mbrojtësave tanë.

Formacioni që po ndërrohet shpesh. Seferi shënon dhe ulet në stol, Broja më shumë jashtë Kombëtares se në të, Uzuni që shpërdoron raste dhe vjen titullar, Bajrami që rri në stol dhe kthehet nga minuta e parë. Përse kaq ndryshime?

E gjitha kjo që po më thoni tani, është shumë e vërtetë. Përse? Ka vetëm një shpjegim llogjik këtu, që Reja nuk është i bindur as vetë se kush janë lojtarët më të mirë. Kjo flet shumë për opinionin e trajnerit karshi këtyre lojtarëve që nuk po bindet dot për të gjetur 11 më të mirë, kaq.

Etrit Berisha u shpreh se ne do të ishim aty për vendin e parë edhe me Rusinë në grup. Po çfarë mund të ndodhte nëse Rusia nuk do të përjashtohej dhe ne do të luanim 4 ndeshje për 11 ditë?

Ehh, këta lojtarët e sotëm, sesi i japin këto deklaratat, unë nuk e di… Ne atëherë kemi qenë shumë të kujdesshëm. Sigurisht që Rusia nuk është e pamundur, madje ne e kemi mundur me Brigelin 3-1. Por këto deklaratat që lëshojnë këta lojtarë janë shumë pa kuptim. Themi se do dalim në vendin të parë me Rusinë dhe na mund Israeli. Sigurisht nuk dua të harroj që edhe UEFA me këto datat e vendosura, është shumë absurde. Si mund të luash 4 ndeshje brenda 11 ditësh? E pamundur.

Për ta mbyllur, a ka qenë Ivan Balliu që ka spikatur më shumë në këto dy ndeshje të Shqipërisë?

Për atë isha duke menduar edhe unë. Por prapë unë Balliun e kam ndjekur edhe në La Liga. Atje ka dhënë shumë asiste, ka bërë gola. Pra ka dhënë më shumë në La Liga se te Shqipëria. Sigurisht që bëri shumë edhe këtu, goditi portën, por në fund lojtari matet me statistika, pra me asistet dhe me golat. Këtu nuk më duket i të njëjtit nivel me Balliun e Spanjës, por natyrisht që edhe për mua spikati më shumë se të tjerët. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *