Çfarë po ndodh me Elseid Hysajn? Megjithëse shkrimet kritike mund të japin idenë se bëhet fjalë për një s.ulm karshi një lojtari të caktuar, nuk është ky qëllimi ynë. Ajo që dëshirojmë të kuptojmë është sesi mundet që futbollisti i cili duhet të mbante mbi shpatulla Kombëtaren, ka shumë ndeshje radhazi që nuk e kalon notën 5.
Bëhet fjalë për mbrojtësin që ishte pjesë e Europianit të Francës dhe që tani duhet të “merrte prej dore” Shqipërinë, për të ndihmuar edhe brezin e artë në dukje të kuqezinjve. Në lidhje me këtë çështje, Edmond Ruço është shprehur në “Sport Ekspres” se ka shumë ndeshje të Kombëtares ku Hysaj nuk jep as 30% nga vetja e tij.
Me çfarë note do ta vlerësoje paraqitjen e Kombëtares ndaj Islandës?
Ishte një ndeshje që u zhvillua me dy tablo. Në pjesën e parë ne kemi merituar notën 7.5 sipas mendimit tim, ndërsa në pjesën e dytë notën 3.
Në pjesën e parë u krijua përshtypja se do të kishim fitore të thellë dhe të gjithë tifozët ishin të kënaqur me lojën, e dyta ishte tërësisht ekstremi. Si mund të shpjegohet një ndryshim i tillë?
Ne duhet të kuptojmë realitetin e botës së futbollit, ku çdo lojtar, jo vetëm futbollistët shqiptarë, zhvillojnë të paktën rreth 50 ndeshje në sezon. Kjo kuptohet edhe në gjendje fiziko-psikologjike te çdo lojtari. Pra, tifozët, trajnerët dhe opinionistët duhet të kenë parasysh që nuk mund t’i marrësh maksimumin çdo lojtari.
Ndryshimi i opinionit publik, analistëve dhe mënyra se si e komentojnë Shqipërinë është vërtet interesante. Ne fillim tregojnë se kemi lojtaret që luajnë të gjithë në kampionatet më të forta në Europë, ndërsa pas zhgënjimit nis të tregohet se Kumbulla është në stol te Roma, se Cekici gjendet në stol, se Cikalleshi nuk po shënon më te Konyaspor etj etj. Për ta kuptuar, sa lart gjendet Shqipëria në letër?
Ne duhet të gjykojmë me mendje të kthjellët. Lojtarët tanë luajnë në nivele vërtet të larta, prandaj është e natyrshme që nuk do t’i zhvillojnë të gjitha ndeshjet në formacion. Rasti i Kumbullës, kur ka luajtur te Roma e ka justifikuar veten, por nuk është e thënë që të jetë titullar në të gjitha ndeshjet pasi edhe shokët e repartit te Roma kanë të njëjtin nivel të lartë. Po ashtu edhe Ismajli, Cekici, ndërsa Cikalleshi është pikë referimi te Konyaspor. Ka pasur disa dëmtime, prandaj nuk mund të presim maksimumin prej tij.
A duhet ta ndryshoj skemën Reja? Mund të quhet e pamundur të jemi rezultativ me 3-5-2?
Unë mund të jem ndër personat e pakët që e kam kundërshtuar skemën 3-5-2 të Rejës. E kam thënë edhe në studiot televizive që për mua duhet të jetë 4-4-2 ose 4-3-3 i pastër me përbërjen e lojtarëve që kemi tani në Kombëtare. Por trajneri i sheh gjërat nga afër dhe sheh stërvitjet, prandaj mbetet për t’u diskutuar.
Elseid Hysaj? Si mund të shpjegohet që lojtari i mbetur nga Euro 2016 dhe që tani duhet të mbante mbi shpatulla Shqipërinë, ka paraqitje radhazi nën nivel?
E kam thënë edhe më herët për gjendjen e Hysajt. Është aktivizuar pak gjatë këtij kampionati në Seria A, nuk e ka justifikuar veten as kur ka hyrë. Shumë ndeshje kur luan te Shqipëria nuk jep as 30% të aftësive dhe mundësive të tij. Për mua është e pashpjegueshme që të stërvitesh dhe të luash në ato nivele duhet ta tërheqësh Kombëtaren për dore. Por kemi shumë djem të rinj në Europë dhe botë që farë mirë i fitojmë si lojtarë duke i dhënë mundësinë që të shfaqin dhe ato aftësitë e tyre. /Sport Ekspres/