Ilir Shulku ka dhënë mendimin e tij për arbitrimin në futbollin shqiptar. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së ka thënë në një intervistë për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” se gabimet e gjyqtarëve shqiptarë janë minimizuar. Gjithashtu thekson se niveli i arbitrimit qendron më lart se niveli i kampionatit tonë.
“Gabime arbitrare ka. Kjo është e pamohueshme, por jo vendime drastike. Tani janë minimizuar në dhënien e një faulli në mesfushë, një përplasje, një aksion shumë i shpejtë. Gjëra të tilla. Por nuk mendoj që ka arbitra që gabojnë me qëllim. Në fund fare do ta përkufizoja që niveli i arbitrave shqiptarë është padiskutim më i mirë se sa niveli i kampionatit shqiptar.
Nuk ka arbitra shqiptarë që gjykojnë në nivelet e larta të UEFA-s? Ka shkuar Enea Jorgji. Është ngjitur një nivel më lart se të gjithë arbitrat shqiptarë që kemi pasur gjatë gjithë periudhës që kemi marrë pjesë me arbitra shqiptarë në FIFA. Është një nga arbitrat më të mirë shqiptar. Nuk është aq e lehtë ana cilësore. Sepse ka lobingje të tjera, niveli i kampionatit ku vjen etj.”, ka deklaruar Ilir Shulku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/