Enriko Papa ka tërhequr interes të madh me paraqitjet e tij te Botoshani. Me shiritin e kapitenit në krahë, mesfushori shqiptar është pjesë e rëndësishme e ekipit që ndodhet në elitën e futbollit rumun. Shumë oferta ka pasur në gjithë këtë periudhë Papa, por presidenti i Botoshanit nuk lejon largimin e tij. Së fundmi “Sport.ro” ka mësuar emrat e të paktën 8 ekipeve që kanë shprehur interesimin për mesfushorin në fjalë.
Steaua Bukuresht, Cluj, Craiova, Sepsi dhe Sivaspor janë ekipet e Europës që po ndjekin me vëmendje situatën e futbollistit. Nga krahu tjetër Al Ittihad në Arabinë Saudite dhe Al Ëasl në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë gjithashtu të dhëna për Papën. Tanimë është edhe Apoeli në Qipro që i bashkohet kësaj liste të gjatë, ndërsa në ditët në vijim do të përcaktohet edhe fati i së ardhmes për Papën. /Sport Ekspres/