Vedat Muriqi ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër Greqisë për Ligën e Kombeve. Nuk kanë munguar pyetjet në lidhje me të ardhmen e tij, teksa Majorka kërkon t’i blejë kartonin pas paraqitjeve mjaft pozitive të zhvilluara përgjatë muajve që ishte pjesë e tyre. Megjithatë, Muriqi është treguar indiferent në lidhje me këtë çështje, duke u shprehur se nuk ia ndjen për të ardhmen momentalisht, pasi është i përqendruar te ndeshjet me Kosovën.
“Shkurt e shqip, s’po ma ndjen. Tani jam totalisht i fokusuar në ndeshjet e Kombëtares. Pastaj do të kem një pushim prej një muaji. Për momentin nuk jam duke menduar për të ardhmen time. Faktikisht kam kontratë me një ekip, kështu që do të vazhdoj në përgatitjet sezonale me atë ekip që e kam dhe pastaj të ndodhi çka të ndodhi, duhet të marr vendime. Nuk e di për momentin”, ka deklaruar Vedat Muriqi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/