Ekskluzive/ “Lukas iku para se të vija unë”! I duhej fitorja e Laçit për Europën, Skënder Gega për t’u duartrokitur: Më bëhet qejfi për Vllazninë dhe Josën, e merituan

Skënder Gega ka marrë misionin e ri për të dërguar Kukësin në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Një rikthim ishte ky te verilindorët pasi më herët trajneri në fjalë e ka pasur të njëjtën detyrë. Jo vetëm që nuk do të zhgënjente, por menjëherë mbërriti te suksesi në Europë me kalimin e turit. Për disa arsye do të vinte ndarja dhe nuk kishte asnjë problem madhor që ribashkimi të mos ndodhte. Safet Gjici do ta telefononte pasi verilindorët ndan rrugët me Longon, Gega nuk mund ta refuzonte mundësinë për t’iu afruar edhe njëherë objektivit madhor të titullit kampion, shijen e të cilit ia di fare mirë nga koha e Partizanit.

Në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”, Gega ka folur gjatë sa i përket kësaj eksperience të re që e pret. Fillimisht shprehet se De Lukas është larguar para se të vinte te Kukësi dhe se do të kishte dëshirë për të punuar me mesfushorin që impresionoi Superioren në pjesën e parë të sezonit që lamë pas. Ndërkohë Gega dhe Kukësi e kishin vështrimin e hedhur te finalja e Kupës së Shqipërisë, teksa kërkonin fitoren e Laçit ndaj Vllaznisë për të arritur Europën, ishte e vetmja mënyrë. Por vërtet për t’u duartrokitur është trajneri i verilindorëve që përtej interesit të tij, zgjedh që të përgëzojë Vllazninë dhe Mirel Josën.

“Kemi bashkëpunuar më herët me Kukësin dhe nuk funksionoi për disa arsye. Është diçka që i përket të kaluarës, por marrëdhëniet i kemi ruajtur, besimin dhe respektin reciprok. Ndonjëherë nuk shkojnë gjërat ashtu si pritet nga dy palët. I kishim ruajtur kontaktet dhe e kam ndjekur Kukësin në vitin e kaluar. Nuk dua të bëj analizën e ekipit që ka qenë më herët dhe të trajnerëve që unë i zëvendësoj apo ata që më kanë zëvendësuar mua. Është një shans i dytë dhe shpresoj të shkojë mirë. Në çdo vend ku të shkosh, është një sfidë e re. Nuk punon vetëm ti, por të gjithë trajnerët. Ka një investim të madh që nuk vendoset në dyshim në këtë klub, që është shtysë për t’ia dalë.

Europa? E kam ndjekur ndeshjen mes Vllaznisë dhe Lacit. Laci ishte më favorit para kësaj përballje, pasi ishin më mirë në kampionat. Megjithatë ky është futbolli. Unë e respektoj shumë historinë e Shkodrës dhe nuk i vodhi kujt asgjë. E meritoi dhe më bëhet qejfi për Vllazninë dhe Mirel Josën që ia dolën, pavarësisht se interesat tona ishin të kundërta pasi na duhej Europa. Por kjo ndodh kur varesh nga këmbët e të tjerëve.

Lëvizjet në skuadër? Patjetër që do të ketë. Disa lojtarë kanë qenë në fund të kontratës. I pari që ka ikur ishte Lukas, iku para se unë të caktohesha trajner i Kukësit. Për mua kishte shumë vlera dhe do të doja të ishte aty. Do të kisha dëshira që të bashkëpunoja me lojtarët me vlerë te Kukësi. Lojtarët duan të provojnë sfida të reja ndonjëherë. Edhe në kohën kur unë isha trajner te Kukësi më parë nuk kam bërë asnjë largim, madje as klubi. Kanë qenë kërkesat e tyre ekonomike, dëshirat e tyre për një sfidë tjetër që vendosën për të ardhmen. Rroca dhe Telushi u larguan në marrëveshje me klubin, ndërsa Ethemi dhe Musolli ikën dhe nuk ranë dakort pasi donin sfidë tjetër. Jam ulur me kapitenin Taipi që është paraqitur shumë mirë në këtë sezon dhe çdo gjë do të jetë në bashkëpunim me klubin dhe në interesat e mia si trajner.

Me Gjelbrim Taipin kemi punuar kohë më para bashkë dhe kam qenë mbështetësi i tij kryesor. E kam marrë te Shqipëria U-21 kur ishte vetëm 19-vjeç. Kemi më shumë kohë tani që nuk do të jemi në Europë për t’u njohur dhe stërvitur me ekipin. Të plotësojmë çdo boshllëk që mund të krijohet nga largimet dhe duhet të afrohen lojtarë me mentalitetin e duhur për të kapur objektivat. Do të jetë garë e gjatë dhe të gjithë duhet të kuptojnë se për të qenë pjesë e këtij projekti duhet të punojnë fortë dhe të pranojnë konkurrencën. Një shtysë e madhe do të jetë që luajmë para tifozëve të Kukësit, ndërsa mbështetja nga Gjici nuk ka për të na munguar”, tha Skënder Gega. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *