Trajneri i Kosovës e paralajmëron Greqinë për ferrin në tokën shqiptare, nuk e kënaq vetëm fitorja: Ta dominojmë edhe me lojë

Kosova arriti që të marrë fitoren e parë në Ligën e Kombeve. Dardanët ia dolën që të fitojnë ndaj Qipros në transfertë me rezultatin 0-2. Një pjesë e parë ku Kosova vuajti jo pak, por dominoi gjithçka në të dytën për të marrë fitoren e shumëpritur. Tanimë vjen përballja në shtëpi me Greqinë, teksa trajneri i dardanëve, Giresse, nuk kënaqet vetëm me fitoren, por dëshiron edhe lojë të bukur.

“Nuk do t’u referohem ndeshjeve të kaluara, pasi ato kanë përfunduar tashmë. E kemi nisur këtë fushatë me një rezultat pozitiv kundër Qipros dhe kemi studiuar Greqinë si ka luajtur ndaj Irlandës së Veriut. Besoj se jemi gati të provojmë të paraqitemi me një stil dominues në lojë, ashtu si ndaj Qipros, por natyrisht që nuk mund të jap detaje mbi formacionin.

Një ndeshje nuk i ngjan kurrë tjetrës dhe nëse shohim atë ndaj Qipros, padyshim që duhet të bëjmë shumë më mirë, pasi në pjesën e parë ndaj tyre gabuam shumë. Vuajtëm teknikisht dhe në mënyrën si organizuam manovrën sulmuese, por në pjesën e dytë u përmirësuam dhe shënuam dy herë. Pjesa e dytë ndaj Qipros nxjerr më mirë në pah kualitetin tonë dhe atë që presim nga ekipi”, tha Giresse. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *