Të renditur mes lojtarëve më të rëndësishëm në kampionatet respektive, por në Kombëtare hapësirat kanë qenë pakta për ta. Taulant Seferi dhe Xhakomo Vrioni e kanë pasur të vështirë të mposhtin konkurencën në sulmin kuqezi, duke qenë kritika më e madhe për Edi Rejën. Të dy kanë qenë pika kyçe për ekipet e tyre, njëri për Tiranën dhe tjetri për Tirolin, por alternativat si Broja, Manaj, Uzuni dhe Cikalleshi ua kanë zbehur shpesh shanset për të marrë një ftesë në Kombëtare.
Por situata ndryshon tërësisht dhe Edi Reja ka vendosur t’u japë mundësinë e tyre. Seferi dhe Vrioni vijnë në grumbullimin e Kombëtares për ndeshjet e Ligës së Kombeve si golashënuesit e kampionateve respektive, duke shpresuar që marrëdhënien me golin ta vazhdojnë edhe në arenën ndërkombëtare. Të ndihmuar edhe nga fati, të dy sulmuesit shqiptar do të kenë mundësinë për të qenë në fushë në ndeshjet e radhës, teksa Cikalleshi qendron si i vetmi konkurent në rolin e tyre, për të treguar se sa u vlen lëkura si dhe për t’i dhënë një mesazh Rejës se e meritojnë ftesën për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi./Sport Ekspres/