Kemi përballë Spanjën dhe Belgjikën, Cungu: Të gjithë duhet ta kenë shansin për fanellën e Kombëtares

Edhe Kombëtarja shqiptare U-19 ka nisur prej ditës së mërkurë përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Malit të Zi U-19, teksa kuqezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu po stërviten prej dy ditësh në Ulqin, atje ku janë grumbulluar para sfidave. Tekniku shkodran ka në dispozicion 23 lojtarë, me 13 prej tyre që aktivizohen jashtë vendit.

Duke folur për Fshf.org, tekniku i kuqezinjve shprehet se këto dy miqësore të rëndësishme janë një mundësi shumë e mirë për të konsoliduar grupin kuqezi që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Europianit të ardhshëm për moshën U-19. Siç dihet Shqipëria U-19 është shortuar në Grupin 7 dhe përballë do të ketë Spanjën dhe Belgjikën me ndeshjet e eliminatoreve të Grupit 7 të Shqipërisë në Europianin U-19 do të luhen në Belgjikë në shtator 2022.

“Grumbullimi po shkon mirë, kushtet sigurisht janë shumë të mira. Djemtë po stërviten mirë, me ritëm ndonëse është fundi i sezonit dhe sigurisht që mund të ketë pak lodhje për çdo futbollist. Kemi afruar këtë herë edhe lojtarë të cilët nuk kemi pasur mundësi t’i shikonim më parë, për shkak të impenjimeve të tyre, ndonëse i kemi pasur emrat e tyre në listën tonë. Do t’i vëzhgojmë me vëmendje dhe më pas të shpresojmë që të mund të zbulojmë edhe ndonjë element të ri”, – thotë Armando Cungu, duke shpjeguar edhe zgjedhjet e tij dhe analizën që do të bëhet pas këtyre dy miqësoreve.

“Gjithsesi, sa i përket lojtarëve që i kemi pasur të evidentuar gjatë gjithë kësaj periudhe besoj se nëpërmjet këtij grumbullimi do të kemi mundësi t’i testojmë të gjithë. Besoj se në përfundim të këtyre dy miqësoreve do të ulemi me stafin dhe të përzgjedhim lojtarët të cilët kanë kontribuar dhe kanë dëshmuar gjendje të mirë për të qenë pjesë e Kombëtares U-19. Sigurisht, ne do t’i referohemi gjithmonë gjendjes momentale të futbollistëve, pra nuk është çështja se njëri është më i mirë se tjetri në aspektin kualitativ dhe nëse dikush nuk është aktualisht në listën tonë nuk do të thotë që nuk do të jetë. Por ne patjetër zgjedhim që janë më në formë tani për tani”, – shton tekniku, i cili thekson se dera është e hapur për të gjithë elementët e rinj që do të kenë shansin të tregojnë se sa vlejnë.

“Dy miqësoret që kemi në program janë shumë të vlefshme, kjo nuk diskutohet. Do të na ndihmojnë shumë që të testojmë lojtarët dhe skuadrën. Ne ende nuk e kemi konsoliduar përfundimisht grupin e lojtarëve që përbëjnë boshtin e Kombëtares U-19, pasi vazhdojmë të vëzhgojmë lojtarë të talentuar veçanërisht nga jashtë e që spikasin herë pas here me paraqitjet e tyre në klubet ku luajnë. Dhe ne kemi detyrimin t’i japim mundësinë të tregojnë veten dhe të ketë çdokush shansin të provojë veten me fanellën kuqezi”, – u shpreh trajneri i Kombëtares U-19.

Përfaqësuesja kuqezi do të luajë miqësoren e parë ndaj Malit të Zi më 5 qershor, në ora 20:00 në tokën malazeze, teksa përballja e dytë do të luhet orën 17:30 në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *